Pastrohet liqeni i Vërmicës, Kosova i bashkohet kampanjës të Ditës së Pastrimit të Botës 2020

Prizren | 05 Qer 2020 | 13:16 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, Komuna e Prizrenit iu është bashkangjitur fushatës globale “Dita e Pastrimit të Botës 2020”, ku janë pastruar brigjet e liqenit të Vërmicës, raporton Ekonomia Online.

Besmir Kokollari, nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, tha se aktivitete të tilla do të mbahen edhe në qytetet të tjera të Kosovës.

“Ministria e Mjedisit është e përkushtuar që të zhvillojë aktivitetet në mënyrë që të kemi një mjedis sa më të pastër”.

“Ne si Ministri e Zhvillimit dhe Ambientit në bashkëpunim me komunën e Prizrenit, ku aktivitete të tilla do të mbahen në Suharekë, Drenas në bashkëpunim me ‘Let’s do It Kosova’. Ne do të vazhdojmë pastrimin dhe mbjelljen në komuna të ndryshme”, tha Kokollari.

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, bëri thirrje që lumenjtë të mbahen të pastër dhe si komunë tha se janë duke u marrë me ata që e dëmtojnë ambientin.

“Është një simbolik ngase liqeni i Vërmicës është një bukuri natyrore që rrallë mund ta gjejmë. Nga burimi në Istog dhe Pejë e deri në Prizren i gjithë plastika dhe bërlloku mblidhet këtu në Prizren”.

“Ne po bëjmë pastrimi,  por gjëja më e mirë është mirëmbajtja dhe disiplina jonë që të mbrojmë natyrën dhe rrjedhat e ujit të cilat janë të rrezikuara nga shume aktivitete të ndryshme ekonomike”.

“Këtu kemi problemin e njëjtë te Drini i Bardhë të cilin qyshe ka emrin ta mbajmë të pastër. Një nga pikat kyçe duhet të kemi Inspektor Ambiental dhe dënimet për ata që hedhin mbeturina të jenë të shqiptuara sa më shumë edhe në aspektin e trafikut urban”.

“Ne si komunë kemi vetëm një inspektor dhe duhet edhe më shumë. Jemi duke shikuar mënyra ligjore të kemi inspektor ambiental”, u shpreh Haskuka.

Drejtori i Organizatës, “Let’s Do It Kosova” Luan Hasanaj, tha se parandalimi është mënyra më e mirë për ta mbajtur të pastër ambientin dhe bëri thirrje që edhe institucionet të angazhohen në këtë drejtim.

“Në këtë ditë që nga Istogu nga vijë unë, Klina, Rahoveci të gjithë jemi kontribuues në ndotjen e këtij liqeni këtu. Sikur të ishim më të kujdesshëm dhe të mos hidhnim mbeturina këtu liqeni Vërmicës dhe Drini i Bardhë do të duhej të ishte i pastër, andaj na takon të marrim hapa sa i përket kësaj situate”.

“Andaj lus institucionet të jenë sa më aktive ti parandalojnë ata të cilët po ndotin, dhe parandalimi më i mirë është kur ata gjobiten. Parandalimi më i mirë do të ishte sikur të kishte më shumë edukim nëpër shkolla, të kenë më shumë aktivitete dhe t’i trajtojmë më shumë çështjet mjedisore”, tha Hasanaj.

Hasanaj tha se do të vazhdojnë me aktivitete të tilla si dhe bëri thirrje që të ngritet fondi për çështje mjedisore, raporton EO.

“Ne do të vazhdojmë me këtë aktivitet edhe më tutje. Të iu tregojmë Qeverisë se ku janë problemet dhe t’i zgjidhin dhe kjo zgjidhje nuk vjen nëse nuk kemi buxhet për çështje mjedisore dhe të niset fondi sa më shpejt për çështjet mjedisore”, u shpreh Hasanaj.

Lexo më shumë:

Të ngjashme