Pastrohet për të dytën herë Gërmia, paralajmërohen gjoba për ndotësit e mjedisit

Prishtinë | 06 Mar 2019 | 13:30 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata “Let’s Do It Kosova”, me një grup studentësh nga Shkolla e Mesme Internacionale “UWC Adriatic” në Itali, kanë organizuar aksion pastrimi në Parkun e Gërmisë, raporton Ekonomia Online.

Udhëheqësit e organizatës “Let’s Do It Kosova” thanë se këto hapësira ishin pastruar edhe një herë gjatë fushatës “Ta pastrojmë Kosovën”, por mospërgjegjësia e qytetarëve i ktheu sërish këtu që ta pastrojnë këtë vend edhe njëherë.

Luan Hasanaj, drejtor ekzekutiv i organizatës “Let’s Do It Kosova” tha se ky vend është shndërruar në një vend deponish i cili nuk po i jep imazh të mirë kësaj pjese të qytetit.

“Po rikthehemi në Gërmi, në këtë mënyrë duke ripastruar një hapësirë ku kemi pastru me mbi 40 kamionë, po shihet që edhe ndërtuesit kanë hedhë mbetje dhe është e rëndësishme që ky vend të ruhet dhe nëse ne dikë e sjellim në Prishtinë për t’i treguar një shembull të mirë është Gërmia. Andaj duke e shndërruar në një vend deponishë nuk e di se çfarë imazhi do t’i japim vendit tonë”, tha Hasanaj.

Për këto veprime Hasanaj tha se do të shqiptohen edhe masa ndëshkimore.

“I bëj thirrje të gjithë qytetarëve e sidomos atyre që ndërtojnë në Prishtinë, sepse ne jemi duke punuar me inspektoratin, me Komunën e Prishtinës, që do ketë dënime për të gjithë ata që i bëjnë këto veprime. Ne nuk do ndalemi edhe duke pastruar, por edhe duke i monitoruar këto hapësira dhe të gjithë ata që kapen duke bërë veprime sikur ky që është sot ne do i publikojmë”, u shpreh ai.

Hasanaj ftoi edhe Komunën e Prishtinës për bashkëpunim.

“I bëj thirrje edhe Komunës së Prishtinë që të jetë më aktive për t’i ruajtur këto hapësira. Ne e kuptojmë që ata kanë angazhime, por duhet ditur se çka po ndodhë me këto hapësira, duhet rritur vëmendja. Falënderojmë kompaninë pastrimi duke parë kontributin që po e japin këtu, gjithashtu edhe për studentët të cilët kanë ardhur nga Italia që të jenë me ne dhe ta japin kontributin e tyre”, tha Hasanaj, raporton Ekonomia Online.

Studentja nga Shkolla e Mesme Internacionale “UWC Adriatic” në Itali tha se ata kanë vendosur të vijnë këtu pasi që Kosova ka një histori mjaft interesante.

Ajo ftoi qytetarët të kujdesen për parkun e Gërmisë pasi që sipas saj është pjesa më e bukur e qytetit.

“Ne jemi disa studentë të zgjedhur nga e gjithë bota, ku kemi ardhur të shëtisim vende të ndryshme dhe të tregojmë për përvojat tona që marrim nga këto shëtitje. Ne kemi vendosur që destinacionin e ardhshëm ta kemi këtu në Kosovë pasi që është një vend shumë interesant dhe ka një histori interesante. Ne kemi ardhë këtu me organizatën “Let’s Do It Kosova” dhe është kënaqësi të punosh me ta. Shpresoj që në të ardhmen njerëzit në Prishtinë të kujdesen edhe më shumë për ambientin e tyre pasi që edhe unë jam shumë e impresionuar nga natyra e bukur këtu”, tha ajo.

Organizata “Let’s Do It Kosova” ka monitoruar zbatimin e Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore nga inspektorët komunal mjedisor dhe qendror dhe shqiptimin e gjobave për ndotësit. Sipas të dhënave të monitorimit, rezulton se në të gjitha komunat e Kosovës gjatë muajit shkurt janë shqiptuar gjithsej 106 gjoba.

Të ngjashme