Pasuesi i Jack Smithit, më 2011 kërkonte hetime ndërkombëtare për gjeneralët e UÇK-së

Prishtinë | 19 Nën 2022 | 21:47 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesi i Detyrës së kryeprokurorit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, Alex Whiting, në një intervistë për “Klan Kosovën” në vitin 2011, pati folur për atë se pse është më mirë të krijohej një trup ndërkombëtar për t’i hetuar krimet e pretenduara gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ai pati thënë se të gjithë njerëzit mendojnë se do të ishte më mirë sikur vetë shteti t’i ndiqte krimet që janë bërë, por sipas tij, kjo shpesh nuk mund të bëhet.

“Për shkak se këto krime ndodhnin në një ambient të polarizimit të skajshëm të qëndrimeve politike dhe në një ambient të tillë ku ka pasur luftë e konflikt, do të jetë shumë e vështirë për shtetin që të kthehet e t’i ndjekë e t’i hetojë liderët ose gjeneralët e vet”, ishte shprehur Whiting në këtë intervistë.

Whiting sugjeronte që në këso rastesh është e nevojshme të ketë një trup ndërkombëtar që do të hetojë krimet, ngjashëm me atë që kërkonte edhe Dick Marty.

Kujtojmë se tash U.D i Kryeprokurorit të Speciales, Alex Whiting, ishte edhe prokuror i Tribunalit të Hagës, që ndoqi penalisht edhe kryetarin aktual të NISMA-s, Fatmir Limajn.

Whiting erdhi në këtë pozitë pasi Kryeprokurori i deritashëm i Speciales, Jack Smith, dha dje dorëheqje nga detyra.

Ai është emëruar në pozitë të re, atë të Këshilltarit Special nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-së, Merrick B. Garland.

Smith ka dy procese për t’i hetuar dhe njëri lidhet direkt me ish-Presidentin e ShBA-së, Donald Trump, i cili ditë më parë ka zyrtarizuar kandidaturën për Shtëpinë e Bardhë për 2024.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme