PDK-ja kërkon nga Komuna e Podujevës të ndihmohen të prekurit me Covid-19

Prishtinë | 04 Jan 2021 | 15:39 | Nga Ekonomia Online

Ndihmë për të prekurit me COVID-19 ka kërkuar këshilltari nga radhët e PDK-së, Pajtim Hodolli nga ekzekutivi i Podujevës. Sipas tij, edhe Podujeva duhet të ndjek shembullin e disa komunave tjera, të cilat me shuma të ndryshme parash po i ndihmojnë personat që kanë dalë pozitiv me koronavirus.

“Duke e parë gjendjen në të cilën ndodhemi nga pandemia COVID-19 dhe duke e parë që disa komuna kanë ndërmarrë një hap për ndarjen e të hollave për ata që janë prekur nga ky virus, kisha kërkuar nga kryetari që të ndajë një shumë të caktuar për personat që janë prekur nga COVID-19. Po ashtu duke e parë që ka rënë nataliteti në Kosovë, kisha kërkuar që të ndahen për çdo lindje nga 200 euro për nënat lehona”, ka thënë në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal, Pajtim Hodolli.

Por, për të marrë një vendim të tillë, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se duhet të vendos Kuvendi Komunal.

“Ne si ekzekutiv jemi shumë të interesuar që t’iu dalim në ndihmë të prekurve me COVID-19. Por, ju si Kuvend Komunal keni pasur mundësi të merrni vendim për t’iu dalë në ndihmë atyre. Nëse veç e merni këtë vendim si Kuvend, ne menjëherë iu dalim në ndihmë.

Ne kemi paraparë që t’i ndihmojmë edhe lehonat, por si Kuvend duhet të merrni vendim”, ka thënë Bulliqi para këshilltarëve komunalë.

Prej muajit mars të vitit të kaluar deri të dielën, në Komunën e Podujevës pozitivë me koronavirus kanë rezultuar 2149 persona. Sipas epidemiologes së QKMF-së, Bedrie Rama, raste aktive janë 208, pastaj 40 veta kanë vdekur si pasojë e koronavirusit dhe 1901 janë shëruar.

“Nga muaji tetor kemi pasur rritje të numrit të personave të prekur me COVID-19. Ndërsa, prej gjysmës së dhjetorit ka filluar një rënie, dhe çdo ditë kemi më pak të infektuar me koronavirus”, ka thënë Rama.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme