PDK kërkon rinumërim dhe rivotim në Prishtinë dhe Rahovec

Prishtinë | 21 Nën 2017 | 15:32 | Nga

Partia Demokratike e Kosovës ka denoncuar sot parregullsi të shumta në procesin zgjedhor për Komunat e Prizrenit dhe Rahovecit.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Kujtim Gashi, njëherësh sekretar i degës së PDK-së në Prizren, tha në një konferencë për media se të dielën në Prizren gjatë procesit të votimit ka pasur shumë parregullësi nëpër disa qendra të votimit, të cilat sipas tij e kanë dëmtuar procesin zgjedhor në dëmë të Partisë Demokratike të Kosovës.

Ai ka thënë se për të gjitha parregullsitë kanë paraqitur ankesa me fakte në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke kërkuar rinumërim dhe rivotim nëpër qendrat ku janë gjetur parregullsitë.

Në të kundërtën, Gashi tha se PDK nuk do t’i pranoj rezultatet e balotazhit që u zhvillua më 19 nëntor.

Ai ka kërkuar që institucionet përgjegjëse për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, t’i përmirësojnë deformimet dhe shkeljet e rënda qe kanë ndodhur, në të kundërtën, Gashi tha se duhet të përsëriten zgjedhjet për ta sjellur në vend vullnetin demokratik të qytetarëve të Prizrenit.

“Ka pasur shkelje të rënda në qendrat e votimit numër 2004/A në shkollën fillore “Motrat Qiriazi”, në Prizren, pastaj në vendvotimet 2004/A03R, 2004/05R, 2004A/06R, 2004A/07R. Ne tanimë kemi kërkuar edhe zyrtarisht nga PZAP që të urdhërohet rivotimi në këto vendvotime, tha Gashi.

Ai po ashtu ka treguar se janë paraqitur ankesa në PZAP edhe për parregullësi të shumta në procesin zgjedhor në Komunën e Rahovecit.

“Në qendrën e votimit “Liria” në Bellacërkë është zvogëluar numri i votave të kandidatit tonë Idriz Vehapi. Këtu kërkojmë rinumërim të votave. Ndërsa në qendrën e votimit 1626/A në shkollën “Isa Boletini” ka pasur blerje votash për kandidatin Smajl Latifi.
Për këtë rast ka edhe fotografi dhe ky rast tanimë është i hapur edhe në Prokurori dhe presim edhe këtu rinunërim, tha Gashi.

Ai po ashtu ka thënë se ka hasur në parregullsi në qendrën e votimit 1612 në fshatin Ratkoc të Rahovecit.

Për këtë ai tha se PDK ka kërkuar nga PZAP që të shpall të pavlefshme rezultatet e kësaj qendre të votimit.

Në këtë konferencë për media, përveç denoncimeve të parregullsive, Gashi ka falënderuar të gjithë votuesit qe kanë besuar në platformën qeverisëse të PDK-së nëpër komunat e Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme