Pensione në kohë pandemie, edhe për ata që nuk e kanë rinovuar të drejtën për to

Prishtinë | 12 Maj 2020 | 19:35 | Nga Ekonomia Online

Janë mbi pesë mijë persona që nuk e kanë rinovuar statusin e tyre si përfitues të skemës sociale gjatë tremujorit të parë të vitit.

Por, Ministria e Financave dhe Transfereve në muajin prill ka ekzekutuar pensionet e tyre në kuadër të Pakos Emergjente Fiskale, vlerë kjo mbi 570 mijë euro, raporton KOHA.

Pjesë e kësaj pakoje janë pensionistët e katër kategorive, që pensionet në prill i kanë marrë edhe me shtesa.

Ndërkaq, të gjithë ata që nuk e kanë rinovuar statusin e tyre për muajt janar, shkurt dhe mars, kanë mbetur pa pensione gjatë kësaj periudhe.

Megjithatë, Ministria e Financave nga prilli ka ekzekutuar mjetet financiare edhe për ta.

Nga ky institucion tregojnë se pas pandemisë do të shqyrtojnë aplikacionet e tyre dhe do të vendosin nëse në mënyrë retroaktive do t’i marrin pensionet për këta tre muaj.

Në Pakon Emergjente thuhet se do të bëhet rikthimi në listat e përfituesve për përfituesit që për shkak të mosparaqitjes apo mosvlerësimit në periudhën janar – mars 2020, nuk u janë rinovuar të drejtat e tyre.

Vlera e kësaj mase arrin shumën e 13 milionë eurove.

Të ngjashme