Pensionistët e zhgënjyer shpresojnë në Qeverinë e re

Prishtinë | 13 Tet 2019 | 09:50 | Nga Ekonomia Online

Tërë jetën kanë dhënë kontribut për këtë vend, por shteti sikur i ka harruar. Ndihen të zhgënjyer në secilën qeveri që nga paslufta.

Por një fije shprese thonë se e kanë pas zgjedhjeve të 6 tetorit. Meqenëse tash janë të lirë nga punët me orar, ditët pothuajse i kalojnë njësoj: ndonjë punë shtëpie, dalja në parqe e në çajtore me ndonjë shok është itinerari i rregullt i tyre, kur këtë ua lejon shëndeti.

Megjithatë, kërkesat e tyre nuk janë të mëdha: rritja e pensioneve, ilaçet pa pagesë edhe shkuarja në ndonjë banjë ose deti, shkruan Koha Ditore.

Gani Fusha (67) nga Podujeva ka punuar 33 vjet në kompaninë e sigurimeve “Kosova”. I vetmi obligim ditor i tij është bartja e nipit dhe mbesës në shkollë dhe shtëpi. Mirëpo, ky nuk është mision i lehtë, pasi duhet bartur çanta me së paku 10 kilogramë peshë.

“Jeta e pensionistit është faktikisht njësoj. Një shëtitje me ndonjë shok pasdite buzë Llapit ose te pishat. Angazhime të tjera nuk kam, pos dërgimit të nipit e mbesës në shkollë dhe bartja e çantave nga 10 kg”, thotë Gani Fusha.

Kur flet për kohën kur ishte i ri, thotë se disa gjëra që i kishin atëherë tash edhe 20 vjet pas luftës mungojnë në vend.

“Atëherë u kanë një stabilitet social ma i mirë se që është sot, sidomos për kategorinë e pensionistëve. Sigurim shëndetësor ka pasur, barnat nuk i kemi paguar. Tash duhet me i pagua të gjitha. Pensioni një pjesë e madhe shkon për ilaçe. Para luftës me një pension e ke mbajtur një familje. E tash pas 20 vjetëve pas luftës nuk ka kategorizim të pensioneve. Për një javë që i ke ma pak se 15 vjet nuk mundesh me gëzua pensionin kontributdhënës. Urgjent duhet të bëhet kategorizimi i pensioneve ose të zvogëlohet stazhi, se një pjesë e madhe nuk munden ta gëzojnë për pak kohë”, thotë ky 67-vjeçar. “Atëherë ka pasur më shumë perspektivë sesa tash. Atëherë nëse e ke përfunduar shkollimin, nuk ka qenë problem gjetja e punës. Tash i diplomuari ose qëndron në shtëpi, ose duhet ta lëshojë vendin. Punësimet familjare e partiake nuk të lënë me i çelë sytë”.

Megjithatë, pak shpresë thotë se e kanë kthyer zgjedhjet e fundit parlamentare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme