Pensionohet prokurori Haxhi Derguti

Prishtinë | 07 Kor 2021 | 16:06 | Nga Ekonomia Online

Në mesin e kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë, prokurori i Prokurorisë së Apelit, Haxhi Derguti, ka festuar ditëlindjen e tij të 65-të, duke e arritur kështu edhe moshën e pensionimit si prokuror i shtetit.

Në ceremoninë e pensionimit kanë marrë pjesë Kryeprokurori i Shtetit, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe prokurorët dhe stafi administrativ i Prokurorisë së Apelit.

Më këtë rast, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka vlerësuar punën dhe angazhimin e prokurorit Derguti dhënë në etapa dhe periudha të ndryshme për sistemin e drejtësisë, veçanërisht për sistemin prokurorial.

“Ju shpreh mirënjohje për karrierën tuaj shumëvjeçare që e keni bërë në sistemin e drejtësisë. Shpresoj që pas pensionimit, ju do të vazhdoni të jeni ende në shërbim të drejtësisë dhe vlerave që ajo bartë, duke dhënë kontribut profesional në forma të ndryshme”, ka thënë mes tjerash Kryeprokurori Lumezi.

Një fjalë rasti në këtë ceremoni e mbajti edhe Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Xhevdet Bislimi, i cili ka çmuar lart bashkëpunimin dhe kolegialitetin e prokurorit Haxhi Derguti, me ç’rast i ka dëshiruar shëndet të plotë.

Prokurori Haxhi Derguti nga data 29 qershor 2010, me dekret të Presidentit të Kosovës është emëruar prokuror i Prokurorisë Publike të Qarkut në Prishtinë, për të vazhduar më pastaj si prokuror në Prokurorinë e Apelit dhe kryeprokuror i kësaj prokurorie nga viti 2016 deri në vitin 2020.

Të ngjashme