Për 10 muaj, rreth 190 presona të zhdukur në Kosovë, psikoterapisti tregon arsyet pse po ndodh kjo

Prishtinë | 16 Nën 2019 | 09:47 | Nga Ekonomia Online

Gjatë këtyre muajve të vitit 2019 Policia ka raportuar për një numër të madh të qytetarëve, të cilët janë zhdukur nga rajone të ndryshme të Kosovës. Disa prej tyre janë larguar vetëm përkohësisht, mirëpo ka pasur edhe raste kur personat e zhdukur janë gjetur pa shenja jete. Dy rastet e fundit janë ato nga Vushtrria dhe Lipjani.

Musli Krasniqi nga Vushtrria i cili rezultonte i zhdukur nga data 28 nëntor është gjetur i vdekur në një pus në afërsi të fshatit Begaj më datën 4 nëntor. Trupin e tij të pajetë e kanë gjetur Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Rasti tjetër është ai i të riut nga Lipjani, Shqipdon Aliut. Për zhdukjen e tij ishte raportuar në Polici më 14 tetor, ndërsa trupi i tij i pajetë është gjetur më 21 tetor. Trupi i tij është gjetur në një gropë në fshatin Gadime e Ulët të Lipjanit.

E gjithë kjo situatë po shihet shqetësuese nga psikoterapisti Yll Avdijaj, i cili për Telegrafin ka folur për disa nga arsyet, që mund t’i shtyjnë qytetarët të largohen nga shtëpitë e tyre.

“S’ka dyshim së për këtë dukuri, kohët e fundit po dëgjohet shumë shpesh, ku ndodh që qytetarët të zhduken, dhe sigurisht kjo përbën një shqetësim për opinionin e sidomos për vetë familjarët e këtyre personave. Zakonisht, arsyet mund të jenë të shumta po aq sa edhe vetë individët, se pse një person mund të vijë deri te zhdukja”, ka thënë ai.

Avdijaj përmendi disa nga faktorët e rëndësishëm, të cilët mund të ndikojnë në këto raste.

“Faktori psikologjik: rastet kur personat vuajnë nga ndonjë çrregullim psikik, apo disfunksione të tjera që kanë të bëjnë me trurin, çrregullimet e amnezisë që kanë të bëjnë me humbjen e kujtesës, përjetimi i ndonjë krize apo presione psikologjik, depresioni madhor etj”, tregoi ai.

Gjithashtu, Avdijaj foli edhe për faktorët tjerë.

“Faktori emocional: rastet kur personi vuan nga çrregullime emocionale dhe të humorit, traumat, etj”. Faktori social: problemet familjare, problemet bashkëshortore, kërcënimet, rrëmbimet, presionet e ndryshme që mund të vijnë nga rrethi social, si ngacmimet, bullizmi, injorimi, ndjeja e të mos qenurit i pranuar në rrethin social, humbja e ndonjë personi të dashur etj”, shpjegoi Avdijaj.

Avdijaj tha për Telegrafin, se në këto raste ndikon edhe faktori rrethanë, ku përmendi kushtet ekonomike, mospërballimi i gjendjes financiare, borxhet e shumta, pamundësia e përmbushjes së nevojave dhe kërkesave personale dhe familjare, dështimet në punë dhe në mësime.

Psikoterapisti, Avdijaj tha se tek këto raste mund të ndikojnë edhe faktorët tjerë.

“Mund të ketë edhe shumë faktorë të tjerë, ndoshta edhe më specifike në raste më konkrete, mirëpo si faktorë të përgjithshëm, zakonisht më së shpeshti i hasim këta të lartpërmendur. E po ashtu këta faktor shpeshherë dinë të jenë edhe shkaktarët të cilët mund të çojnë edhe deri në vetëvrasje”, potencoi ai.

Ndryshe, nga Policia e Kosovës kanë thënë për Telegrafin se këtë vit janë raportuar rreth 190 persona të zhdukur.

“Në shumicën dërmuese të rasteve personat e zhdukur janë gjetur, pasi shpesh kanë qenë largime të përkohshme nga shtëpia, apo largime pa leje (pa njohurinë e familjarëve) për shkaqe të ndryshme. Në mesin e këtyre personave ka pasur edhe persona që kanë pasur probleme shëndetësore”, kanë thënë nga Policia e Kosovës.

Ndryshe, përveç Policisë së Kosovës edhe qytetarët kontribuojnë në gjetjen e personave të zhdukur, duke shpërndarë fotografi në rrjete të ndryshme sociale.

Vlen të përmendet rasti i fundit i Remzije Mustafës, gruas nga Prishtina e cila kishte humbur që nga data 6 tetor. Falë bashkëpunimit  të mediave, Policisë së Kosovës dhe qytetarëve, ajo është gjetur shëndoshë e mirë në një shtëpi të pabanuar në Prishtinë. /Telegrafi

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme