Për 10 vjet 20% e qytetarëve e braktisën Kosovën

Prishtinë | 06 Kor 2019 | 08:51 | Nga Ekonomia Online

Prejse Kosova është shpallur shtet dhe deri më tani vendin e ka lëshuar 20% e popullsisë së saj. Në pesë vjetët e fundit 135 mijë qytetarë kanë ikur nga vendi në mënyrë joligjore dhe prej tyre janë kthyer vetëm 40 mijë.

Arsyet kryesore vlerësohet të jenë mungesa e perspektivës, varfëria dhe qeverisja jo e mirë.

Sipas Zyrës Evropiane të Statistikave (EUROSTAT), në periudhën 2008-2018 gjithsej 203.330 qytetarë kanë ikur nga Kosova dhe kanë bërë kërkesë për azil në Bashkimin Evropian. Po ashtu gjatë kësaj kohe 141.330 qytetarë të Kosovës u gjetën ilegalisht të pranishëm në BE.

Kësisoj prej shpalljes së Kosovës si shtet gati 20% ose 1/5 e popullsisë ka ikur nga Kosova, shkruan gazeta “Zëri”.

Ndërkohë këtyre të dhënave nuk u është shtuar as numri i qytetarëve të Kosovës që kanë migruar në BE përmes rrugëve tjera ligjore, siç janë lejet e punës.

Ndërsa në pesë vjetët e fundit afër 135 mijë qytetarë nga Kosova kanë kërkuar azil nëpër vendet e Bashkimit Evropian dhe, siç njofton Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, prej tyre janë kthyer afërsisht 40 mijë qytetarë.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme