Për 4 muaj, 2201 raste të pickimit të rriqrave

Prishtinë | 06 Qer 2018 | 15:52 | Nga

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShP) gjatë mbikëqyrjes permanente të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë, përmes sistemit të mbikëqyrjes të situatës epidemiologjike dhe grumbullimit të rasteve për periudhën 1 shkurt 2018-31 maj 2018, ka raportuar gjithsej 2201 raste të pickimeve nga rriqrat në Kosovë.

Numri më i madh i pickimeve është nga Komuna e Malishevës me 538 raste, Suhareka me 446 raste, Klina me 249 raste, Rahoveci me 123 raste dhe komunat e tjera me numër më të vogël të rasteve.

“Krahasuar me periudhën e njëjtë të viteve paraprake është raportuat numër lehtë i rritur i rasteve të pickuara. Rasti i parë pozitiv në Ethe Hemorragjike Krime Kongo në fshatin Bresalc, Komuna e Gjilanit, i hospitalizuar ne Klinikën infektive të SHSKUK është trajtuar me sukses dhe është lëshuar në shtëpi”, ka thënë IKShP.

Ky institut thotë se në Departamentin e Mikrobiologjisë janë testuar gjithsej 22 mostra (nga personat e dyshimtë në Ethe Hemorragjike Krime Kongo – EHKK) të cilat kanë rezultuar negative.

Situata epidemiologjike me EHKK është në kontroll të plotë dhe në mbikëqyrje permanente nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i cili zbaton strategjinë për parandalimin dhe luftimin e EHKK të Këshillit Ndërministror për luftimin e EHKK.

Epidemiologët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës vazhdojnë të përcjellin me vëmendje ecurinë epidemiologjike në Kosovë. IKShP thotë se po përcjell në mënyrë permanente situatën epidemiologjike me EHKK në të gjitha vatrat e infeksionit dhe bashkë me mjekët dhe punëtorët shëndetësor të Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, Rahovec, Klinë, Suharekë, Gjakovë po mbikëqyrin dhe hulumtojnë të gjitha vatrat, përfshirë këtu edhe vatrat endemike të komunave fqinje: Lipjan, Drenas, Skenderaj, Prizren, Dragash. Pas paraqitjes së rastit të parë në fshatin Bresalc të Gjilanit, ekipet e Institutit Rajonal në Gjilan tashmë kanë vizituar familjen e të sëmurit dhe po vëzhgojnë me përkushtim terrenin dhe situatën epidemiologjike.

“Duke pasur parasysh se që nga viti 2013 nuk është shënuar asnjë rast fatal me EHKK pasi që kemi realizuar me sukses masat profilaktike dhe kundërepidemike, ne duhet të vazhdojmë realizimin e aktiviteteve në terren sepse kemi të bëjmë me një sëmundje endemike, vdekjeprurëse dhe praninë e rriqrave në vatrat endemike të cilat bartin virusin e EHKK. Edhe pse rreziku nga ethet hemorragjike është më i vogël se vitet e kaluara, qytetarëve u bëhet apel që edhe më tutje të vazhdojnë të kenë kujdes nga pickimet e rriqrave, sidomos në zonat endemike pasiqë tashmë temperaturat kanë filluar të ngriten dhe rriqrat kanë filluar të dalin në sipërfaqe të tokës”, thotë IKShP.

Instituti thotë se laboratorët e vet janë të përgatitur dhe të gatshëm për diagnostikimin e të gjitha rasteve të dyshimta në EHKK.

Instituti Kombëtar rekomandon qytetarët për sivjet:

1. Mos qëndroni gjatë dhe pa nevojë në livadhe dhe vende me shkurre,

2. Nëse patjetër duhet të jeni të pranishëm në këto vende vesh rroba të gjata dhe pantallonat futni në çorapë,

3. Duhet të përdorni preparate me të cila lyejmë pjesët e trupit të cilat i dëbojnë insektet nga trupi i njeriut e sidomos në pjesët e zbuluara të trupit, (shuplakat, qafën),

4. Kontrolloni trupin mos keni ndonjë rriqër gjatë qëndrimit në vatër,

5. Kontrolloni përsëri trupin pas largimit nga livadhi apo vendet me shkurre,

6. Nëse keni rriqër në trup, afrohuni në qendrën më të afërt mjekësore sa më shpejt dhe mos i shtypni me dorë!

7. Kositja e barit të bëhet në vazhdimësi (oborr dhe livadhe),

8. Pastrimi dhe dezinfektimi i stallave të bëhet në vazhdimësi,

9. Mbajtja e higjienës personale në nivelin më të lartë,

Instituti Kombëtar bën thirrje te qytetarët se duhet të punojnë në faktorët e përmirësimit të ekosistemit që nënkupton:

1. Të punohen të gjitha tokat e punueshme,

2. Të kositen të gjitha livadhet me kohë dhe nga disa herë,

3. Të pastrohen kopshtet dhe pronat për rreth shtëpive,

4. Të pastrohen fermat ku mbahen bagëtitë dhe të largohen rriqrat nga trupi i kafshëve,

5. Të kihet kujdes në veshmbathje për të gjithë fermerët dhe anëtarët e tyre të familjeve që punojnë në fushë ku kurrsesi nuk guxohet të lihen këmbët e zbathura

6. Fëmijët mos të lejohen të luajnë në livadhe e kopshte të pakositura dhe në mbrëmje të kontrollohet prania e rriqrave në tërë trupin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme