Për 5 muaj në vendin e punës humbën jetën 9 punëtorë

Prishtinë | 16 Qer 2017 | 10:05 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me projektin e Asistencës Teknike, kanë prezantuar projektin “Harmonizimi i Legjislacionit të Kosovës me Legjislacionin e BE në Fushën e Kushteve të Punës”.

Projekt ky i cili ofron asistencë teknike për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në transpozimin e direktivave të BE-së në legjislacionin nacional në fushën e kushteve të punës, raporton Ekonomia Online.

Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi tha se punëtorët në Kosovë vazhdojnë të punojnë në kushte të rënda.

Ndërsa bëri të ditur se për pesë muaj të këtij viti në vendin e tyre të punës kanë vdekur 9 persona.

“Kemi nevojë shumë për ngritjen e kapaciteteve të inspektoratit për sigurinë dhe shëndetin në punë. Fatkeqësisht çështja e sigurisë dhe shëndetit në punë është larg. Fatkeqësisht asaj që ne po shohim përditë kemi edhe aksidente më fatalitet. Vetëm këtë vit i kemi 9 të vdekur dhe kryesisht vdekjet vijnë prej atyre vendeve që janë me rrezikshmëri pra për pesë muaj janë 9 raste të vdekjes në punë dhe janë tepër shumë”, ka thënë ai.

Sirije Poder nga Zyra e Bashkimit Evropian, tha se këtë bashkëpunim po e bëjnë sepse Kosova është partner i ardhshëm i BE-së.

Ajo ka thënë se implementimi i marrëveshjes së MSA-së dhe dialogu social janë kushte të rëndësishme për përafrimin me standardet e BE-së.

“Mendoj se në vitin e ardhshëm dhe vitet tjera do të bëni më shumë sepse ne do të jemi bashkëpunëtorë me ju”, ka thënë ajo.

Leunora Ahmeti -Zylfijaj nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha se njëra ndër komponentët është ngritja e vetëdijes së qytetarëve për sigurinë në punë.

Ajo tha se detyrat kryesore të këtij projekti janë plotësimi i 38 objektivave nga fusha e kushteve të punës në legjislacionin e punës dhe se gjysma e tyre sic tha ajo janë plotësuar ndërsa deri më vitin 2020 pritet të plotësohen të gjitha.

Të ngjashme