Për 6 muaj mbi 1 000 raste të dhunës ndaj grave – Breznica për vrasjen e arsimtares: Zbutja e dënimeve, shtytje për akte të tilla

Prishtinë | 25 Nën 2022 | 14:53 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Mëngjesin e së premtes vendi u tronditë nga vrasja e arsimtares së Gjeografisë nga Prishtina, e cila dyshohet se u goditë për vdekje nga bashkëshorti i saj me sëpatë.

Për Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), vrasjet po shpërfaqin normat dhe patriarkatin në të cilin gratë jetojnë në Kosovë.

Besarta Breznica, nga RrGK i tha Ekonomia Online se gratë vriten vetëm për shkakun që janë gra e nuk kanë mbrojtje.

Madje sipas saj, kur ka zbutje të dënimeve ndaj vrasësve të grave dhe rastet e dhunës nuk trajnohen si duhet, atëherë jeta e grave është çdo ditë në rrezik. Breznica thotë se edhe rehabilitimi dhe riintegrimi i viktimave mbetet sfidues.

“Pikërisht në ditën kur fillon fushata botërore, 16 ditët e aktivizimit ne e nisim ditën me një vrasje makabre të një gruaje 63 vjeçare nga Prishtina, atëherë vrasja e tillë vetëm sa na shpërfaq edhe një herë mirë normat edhe patriarkalitetin në të cilin gratë jetojnë në Kosovë, ku gratë vriten vetëm për arsyen dhe shkakun të cilat janë gra. Atëherë kur ne flasim ne dispozita të tilla ne e shohim që një vrasje e tillë na vjen pikërisht pas lajmit të zbutjes se dënimit të Naser Pajazitaj, i cili ka vrarë Donjeta Pajazitaj dhe i cili Gjykata Themelore e ka dënuar me burgim të përjetshëm mirëpo Gjykata e Apelit e ka zbutur dënimin”.

“Kur ne kemi zbutje të dënimeve dhe kur kemi raste të tilla që trajtohen në mënyra të tilla  nga organet e drejtësisë dhe sistemi i drejtësisë ne e shohim edhe një herë mirë se sa serioze është jeta e grave për institucionet tona. Gjithmonë vlen të ceket që aspektet e rehabilitimit dhe riintegrimit nuk funksionojnë për abuzuesit në Kosovë dhe viktimat nuk kanë se ku të mbështeten dhe nuk kanë se ku të shkojnë përveç se të jetojnë në ambiente abuzive dhe rrjedhimisht kemi të bëjmë me privim nga jeta kur rastet e tilla nuk munden me ju dalë në ndihme institucionet tona”, tha ajo.

Breznica theksoi se në Kosovë gjatë vitit të kaluar në Polici kanë qenë të raportuar mbi 2 mijë raste ndërsa vetëm gjatë 6 muajve të këtij viti janë raportuar mbi 1 mijë raste.

Sipas saj, ky numër është më i madh sepse shumica e rasteve të dhunës nuk raportohen.

“Vitin e kaluar kanë qenë mbi 2 mijë raste të cilat janë raportuar në Policinë e Kosovës, këtë vit kanë qenë vetëm 6 mujorin e parë të këtij viti kanë qenë mbi 1 mijë raste të raportuara në Policinë e Kosovës. Puna e rrjetit të grave në teren na tregon gjithmonë se sa shumë gra dhe sa shumë raste ka të cilat jetojnë në ambiente abuzive mirëpo nuk ndihen të sigurta ende që të raportojnë dhunën”, tha ajo.

“Arsyet se pse ato nuk e raportojnë dhunën janë të shumta është ambienti kërcënues në të cilin ato jetojnë, fatkeqësisht jemi vend i vogël dhe gjithmonë është dikush që ka dikë në institucionet e drejtësisë andaj institucionet tona funksionojnë ende me këtë mentalitet, vlen të ceket që mendësia patriarkale e gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve tanë as pak nuk po i kontribuojnë drejtësisë në vend dhe gjithmonë po ju jep zemër dhunuesve dhe në të njëjtën kohë po i dekurajon viktima që ato të raportojnë dhunën”.

Ajo shtoi se shteti nuk është duke bërë mjaftueshëm në trajtimin dhe parandalimin e rasteve të dhunës, duke bërë thirrje që të respektohet legjislacioni për trajtimin e rasteve të dhunës në baza gjinore, raporton EO.

“Kur ne kemi raportime të shumta çdo ditë të ngacmimeve seksuale, dhunës në baza gjinore ngacmime seksuale në e shohim se sa shteti kontribuon në përmirësimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës në baza gjinore. Kur ne kemi dënime të cilat kthehen në rigjykim, dënime që për një vrasje apo për dy vrasje dënohet me 25 vite burgim atëherë në e shohim se çfarë mesazhi sistemi i drejtësisë që pritet të jep dënime maksimale po i jep shoqërisë tonë dhe sa shumë fuqizon dhunuesit që ata të kryejnë vepra të tilla ende”, tha ajo.

LEXONI EDHE:

Lexo më shumë:

Të ngjashme