Për dy muaj, vetëm 30 gjoba për ndotësit e mjedisit

Prishtinë | 05 Kor 2017 | 19:08 | Nga

Vetëm 30 gjoba janë shqiptuar për ndotësitë e mjedisit gjatë dy muajve të fundit, ka bërë të ditur organizata Let’s Do It Kosova, nëpërmjet një komunikate.

Qëllimi i këtij projekti është njoftimi i qytetarëve me Udhëzimin në fjalë, rritja e vetëdijes së qytetarëve karshi ruajtjes së mjedisit, po ashtu edhe matja e efikasitetit të institucioneve dhe aktorëve përkatës në zbatimin e udhëzimit në praktikë.

Gjatë muajit Qershor, Let’s Do It Kosova ka bërë një hulumtim në kuadër të projektit, janë telefonuar 100 qytetarë dhe është vërejtur që shumë pak prej tyre kanë thënë që janë të informuar që ky udhëzim është në fuqi.

Ndërsa, sa i përket numrit të gjobave të shqiptuara, nga të dhënat e stacioneve policore dhe inspektorëve mjedisorë të cilat Let’s Do It Kosova i ka mbledhur gjatë kësaj periudhe, janë vetëm 30 gjoba të shqiptuara në tërë Kosovën.

Në tryezat e organizuara me aktorët kryesorë të mjedisit, zyrtarë nga Policia e Kosovës dhe Inspektoratet mjedisore kanë theksuar mungesën e bashkëpunimit të duhur në mes këtyre dy institucioneve në zbatim të udhëzimit, po ashtu është theksuar edhe mungesa e inspektorëve në terren dhe mungesa e kuadrove profesional për të kryer punën e inspektorit, gjë e cila nuk e bën shumë efikas zbatimin e Udhëzimit Administrativ.

Po ashtu, sfidë në zbatimin e këtij Udhëzimi Administrativ vazhdon të jetë inkasimi, pasi rastet e dënimit nën shumën e 50 eurove nuk shkojnë fare në Gjykatë, gjersa vazhdon të mbetet sfidë trajtimi i lëndëve që shkojnë në Gjykata.

Megjithatë, përfaqësues të MMPH-së thonë se UA është ende në fazën e promovimit dhe stafi është duke u trajnuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme