Për 6 muaj Këshilli për Shërbimin Civil ka pranuar 400 ankesa

Prishtinë | 27 Gus 2017 | 08:50 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Për gjashtë muajt e parë të këtij viti, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) ka pranuar 400 ankesa nga shërbyesit civilë dhe aplikuesit për punësim në shërbimin civil, raporton Ekonomia Online.

Për 244 ankesa një kolegj i këtij Këshilli tashmë ka marrë vendim, ndërsa ankesat e tjerat pritet që të shqyrtohen deri në fund të vitit.

Këshilli ka shqyrtuar ankesat e nëpunësve civilë dhe aplikuesve për punësim në shërbimin civil, mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit për shërbimin civil dhe vëzhgimin e zgjedhjes së nëpunësve civil të nivelit drejtues dhe niveleve të njëjta në institucionet lokale e qendrore.

Por këto vendime të marra nuk po zbatohet nga institucionet lokale e qendrore, ka thënë për Ekonomia Online Shkëmb Manaj, kryetar i KPMShCK-së. Komuna e Prishtinës ka vonuar zbatimin e vendimeve.

“Tek niveli komunal, prijnë Komuna e Prishtinës. Komunat e tjera i kanë zbatuar të gjitha vendimet e këshillit kurse komuna e Prishtinës për vitin 2016 i ka pasur një numër të konsiderueshëm të vendimeve që nuk i ka zbatuar. Përveç komunës së Prishtinës, komunat e tjera janë korrekt dhe i kanë zbatuar të gjitha vendimet e këshillit”, ka thënë Manaj.

Por edhe disa nga institucionet qendrore nuk po shprehin vullnet të zbatojnë këto vendime.

“Tek niveli qendror do të thotë janë disa institucione, është Administrata Tatimore e Kosovës, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e punëve të jashtme po ashtu ndërsa tek niveli komunal, do të thotë lokal prijnë Komuna e Prishtinës”.

Por moszbatimin e vendimeve, Këshilli njofton Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit, të cilët janë të obliguar që të marrin veprime të mëtutjeshme kundër këtyre institucioneve.

“Procedura ligjore e ka përcaktuar që në rast se institucioni nuk e zbaton vendimin, këshilli e njofton Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, pastaj Qeveria është e obliguar që të marrë hapat dhe veprimet kundër zyrtarëve të pakujdesshëm që nuk i respektojnë vendimet e këshillit”, sqaroi Manaj.

Palët e pakënaqura me vendimet e Këshillit mund t’i drejtohen gjykatës. Çdo vit, rreth 25% të vendimeve të Këshillit përcillen për në gjykatë.

Por Manaj thotë se në shumicën e rasteve Gjykatat vërtetojnë se vendimet e Këshillit janë në pajtim me ligjin.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës është kategori kushtetuese, konkretisht përcaktohet me nenin 101 pika 2 të Kushtetutës.

Me Ligjin për KPMShCK-në ky këshill është organ i pavarur që i raporton në mënyrë të drejtpërdrejtë Kuvendit të Kosovës.

Në Këshill mund të ankohen: nëpunësit civilë të Kosovës dhe aplikuesit për punësim në Shërbim Civil të Kosovës.

Ankuesi duhet të shfrytëzojë procedurën e brendshme të organit punëdhënës, fillimisht të ankohet në komisionin e ankesave, e pastaj në KPMShCK. Përjashtimisht, në raste të përcaktuara më ligj, mund të drejtohen drejtpërdrejt në Këshill.

Të ngjashme