Për krime lufte në Kosovë, u dënuan më shumë shqiptarë sesa serbë

Prishtinë | 12 Kor 2017 | 09:08 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në luftën e viteve 1998-99 mbetën të vrarë rreth 15 mijë persona nga forcat paramilitare serbe, mbi 20 mijë femra të dhunuar, kurse të zhdukur vazhdojnë të mbesin mbi 1600 persona.

Nga shtëpitë e tyre në mënyrë të dhunshme u dëbuan mbi 800 mijë persona. Mbi 200 mijë objekte shtetërore e private u shkatërruan.

Edhe 18 vjet pas luftës sjellja para bankës së të akuzuarve kryesit e këtyre veprave penale, mbetet sfidë për institucionet e sistemit të drejtësisë.

Amer Alija, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në një intervistë për EkonomiaOnline ka thënë se bazuar në të që ata posedojnë për periudhën 20 qershor 1999 deri më 7 korrik të viti 2017 del se janë dënuar më shumë shqiptarë për krime lufte të kryera në Kosovë se sa serbë.

Por sipas tij, duhet që të merren për bazë edhe se për çka janë dënuara të akuzuarit.

“Sipas statistikave tona po del që pak më shumë shqiptarë janë të dënuar për krime të luftës. por nuk duhet të harrojmë për çfarë krime të luftës janë dënuar shqiptarët edhe serbët. Nëse e marrim një aktakuzë që janë dënuar serbët ku janë akuzuar serbët, në atë aktakuzë kemi shumë krime të mëdha kemi masakrat masive, kemi pastrimet etnike të fshatrave. Por kur e marrim një aktakuzë të shqiptarëve atëherë krimet janë më shumë individuale, janë maltretime, aty këtu vrasje. Zakonisht ato përqendruar në kampe, apo ndalimet joligjore nëpër kampet”, ka sqaruar Alija.

Me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës të kryera në Kosovë u morën mekanizma ndërkombëtar e vendor.

Menjëherë pas luftës Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë me seli në Hagë, filloi që të merret me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës.

Sipas tij, gjykata e Hagës ka akuzuar për krime lufte 15 persona, 9 serb e 6 shqiptarë. Kurse janë dënuar 6 serb e 2 shqiptarë.

Ndërsa presidenti serb Sllobodan Millosheviq më 11 mars 2006 u gjet i vdekur ne qelinë e tij në Hagë, disa muaj para se të përfundonte gjykimi.

“Në Tribunalin e Hagës janë gjykuar pesë raste, dy raste kundër shqiptarëve dhe tre raste kundër serbëve. Kemi gjashtë persona të dënuar nga ana e serbëve. Zakonisht këta persona kanë pas rolin apo hierarki të madhe për shembull Ministra të Punëve të Brendshme, komandantë e të tjerë”, sqaroi Alija.

Me krimet e luftës në Kosovë u morën UNMIK-u që nga viti 1999 e deri në vitin 2008, të cilin e pasoi Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit EULEX deri në mesin e vitit 2014.

Këto dy misione akuzuan 112 perona, 61 shqiptarë, 48 serb dhe 2 malazez. UNMIK-u tek EULEX-i ka transferuar 1187 raste, pas përfundimit të mandatit. Kurse EULEX-i ka transferuar tek vendorët 50 lëndë me 208 persona deri në mars të këtij viti.

“…janë gjykuar apo janë proceduar 19 raste kundër shqiptarëve dhe 24 raste kundër serbëve. Prej tyre 61 shqiptarë janë akuzuar dhe 48 serb, pra vetëm brenda gjykatave të Kosovës. I kemi 33 shqiptarë të dënuar për krime të luftës në Kosovë edhe 4 serbë të dënuar për krime të luftës në Kosovë”, ka thënë Alija.

Në vitin 2015 Këshilli Prokurorial i Kosovës ka themeluar Departamentin për Krime të Luftës në kuadër të Prokurorisë Speciale.

Deri në muajin mars të këtij viti, në këtë departament janë regjistruara 300 lëndë, te të cilat dihet edhe kryesi i veprës, kurse nën hetim janë 70 lëndë.

Ky departament ka vetëm dy prokurorë, numër ky që po konsiderohet i pamjaftueshëm për tu marrë me një numër kaq të madh të lëndëve dhe me raste të ndjeshme siç janë krimet e luftës.

“Janë të angazhuar vetëm dy prokurorë që merren me krime të luftës, dy prokurorë lokal. Unë mendoj që definitivisht duhet me u rrit numri i prokurorëve të cilët merren me këto krime por problemi nuk qëndron vetëm te hetimet. Problemi është se shumica e kryerësve mbas luftës janë në Serbi. Kosova e Serbia nuk kanë ndonjë bashkëpunim me i ekstraduar të dyshuarit dhe unë mendoj pa ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, krimet e luftës nuk kanë me pas shumë sukses pa marrë parasysh sa ka me qenë numri i prokurorëve”, u shpreh Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Serbia në vitin 2003 në Gjykatën e Lartë e ka themeluar Departamentin për Krimet e Luftës, ku janë angazhuar 6 gjyqtarë për gjithë ish-Jugosllavinë.

Kjo gjykatë ka akuzuar 20 shqiptarë, 18 janë liruar, 1 është dënuar dhe një është në arrati. Ndërsa ka dënuar gjithsej 15 serb.

“Në Beograd i kemi 43 të akuzuar apo 12 raste, prej tyre 15 persona janë të dënuar kurse po ashtu kemi pas 4 raste kundër shqiptarëve ku vetëm një shqiptar është dënuar nga Serbia, nga gjykatat e Serbisë”, sqaroi ai.

Të ngjashme