Për Luginën e Preshevës bisedohet në Bruksel

Prishtinë | 05 Jan 2017 | 08:27 | Nga

Përfaqësuesit e shqiptarëve në Luginën e Preshevës e kanë mirëpritur idenë e Qeverisë së Kosovës që çështja e tri komunave shqiptare në Serbi të jetë pjesë e dialogut Prishtinë-Beograd. Në Kosovë kjo ide konsiderohet e vonuar nga analistët politikë dhe nga partitë opozitare

Deklarata e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, që Lugina e Preshevës duhet të bëhet temë diskutimi në Bruksel, është përshëndetur nga përfaqësuesit e shqiptarëve në Kosovën Lindore.

Sipas tyre, një gjë e tillë do të duhej të bëhej qysh moti, megjithëkëtë siç janë shprehur ata, gjithmonë ka hapësirë për diskutimin e çështjeve të tilla.

Ata madje, janë shprehur optimistë se një gjë e tillë mund të ndodhë gjatë këtij viti.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e palës shqiptare në dialogun me Serbinë, kanë vlerësuar se për një gjë të tillë duhet të diskutohet dhe të merret një vendim, pasi që siç thonë ata, shqiptarët në Luginë janë plotësisht të diskriminuar.

E përderisa përfaqësuesit e opozitës thonë se çështja e Preshevës do të duhej të diskutohej qysh kohë më parë në Bruksel, analistët e konsiderojnë si një hap pozitiv këtë iniciativë.

Kamberi: Lugina e Preshevës ka shumë probleme

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova duhet të përfshihet në dialog me Serbinë.

“Mendoj që ka ardhur koha që Kosova ta ndërtojë një pozicion të menduar mirë në raport me të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës”, ka deklaruar ai në një intervistë për medie.

E kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, e ka përshëndetur idenë që në Bruksel të diskutohet rreth Preshevës.

“E nevojshme ka qenë gjithmonë, kjo ide duhet të përshëndetet. Lugina e Preshevës ka shumë probleme që duhet të shikohen”, ka deklaruar ai. (Zeri)

Të ngjashme