Për një dekadë “Feniks” i bëri me shtëpi 218 familje

Prishtinë | 04 Pri 2018 | 13:21 | Nga

Shoqata humanitare “Feniks”, nga Ferizaj, ka arritur që për një dekadë të veprimtarisë së saj, të sigurojë strehim për më shumë se 200 familje.

Përfaqësues të kësaj shoqate, kanë konfirmuar se aktivitetin humanitar do ta vazhdojnë edhe me ndërtimin e shtëpive të tjera për familjet që nuk kanë kulm mbi kokë.

218 shtëpi të ndërtuara për familjet nevojtare, është rezultati i punës humanitare dhjetë vjeçare i Shoqatës “Feniks”, nga Ferizaj.

Kryetari i kësaj shoqate, Milaim Jashari, i tha Radio Kosovës se me ndihmat e shumta të qytetarëve vullnetmirë, mërgatës e bizneseve, arritën t’i ndërtojnë këto shtëpi. Jashari përmend njërin nga rastet kur u ndje më së mirë që pati mundësinë të ndihmojë.

“Ka qenë një familje me dy djem, që kurrë nuk kishin pasur rrymë, por ishin rritur me qiri. I zoti i shtëpisë, kishte probleme me shikim, nuk shihte. Kur e kemi përfunduar ndërtimin e asaj shtëpie, vërtet ka qenë një gëzim i madh. Kur kanë dalë ata fëmijë dhe e kanë parë ku kanë jetuar dhe ku po jetojnë tash”, tha Jashari.

Njëri nga përfituesit është edhe Refik Bajrami nga Gjilani. Ai e përshkruan jetën që bëri dikur në shtëpinë e vjetër.

“Kam jetuar në kushte shumë të vështira, në një shtëpi të vjetër. S`kam pasur as rrymë as ujë. Shtëpia ka qenë e vjetër, s’ka pas as dritare të mira. Mbulojë s”ka pas. Shtëpia ka qenë pa kulm. Vërtet e kemi pas një jetë shumë të vështirë”, tha Bajrami.

Refik Barami, ashtu si edhe Milaim Jashari, për ndërtimin e shtëpisë së re falënderojnë kushërinjtë e zonjës së shtëpisë, të cilët vitin e kaluar ndihmuan që kjo familje të bëhet me kulm mbi kokë.

Këtë vit, Jashari tha se Shoqata “Feniks” ka filluar ndërtimin e dy shtëpive, një për familjen Krasniqi nga Qallapeku i Lipjanit dhe një për familjen e Nexhmije Shpellzës nga Kopliku i Shkodrës.

“Kemi filluar në Koplik të Shkodrës. Kemi disa motra nga Suedia që na kanë ndihmuar me pesë shtëpi deri tash. Kemi kënaqësi të madhe që mund t’u dalim në ndihmë vëllezërve, motrave tona në Shqipëri, dhe besojmë se shumë shpejt edhe ajo familje do të gëzohet si gjithë këto familje që janë gëzuar në Kosovë”, tha Jashari.

Për ndërtimin e shtëpisë për familjen Shpellza, Milaim Jashari falënderon Shoqatën “Femrat Shqiptare Kudo që Janë”, me seli në Suedi. Jashari duke thënë se nuk do të ndalet me ndërtimin e shtëpive për më nevojtarët, për aq kohë sa ata do të mbështeten nga njerëzit zemërgjerë. Jashari tregoi për Radio Kosovën se kjo nuk është shtëpia e parë e ndërtuar në Shqipëri. Vite më parë, Feniks me shtëpi të re e ka bërë edhe familjen e Astrit Sulit, i cili ra dëshmor në luftën e fundit, për lirinë e Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme