Për një vit, 200 personave i është njohur statusi i viktimave të dhunës seksuale

Prishtinë | 05 Shk 2019 | 09:05 | Nga Ekonomia Online

Nëntëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës, më 05.02.2018 zyrtarisht filloi pranimi i aplikacioneve për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Kjo u bë e mundur pas shumë përpjekjeve të organizatave dhe aktivistëve të shoqërisë civile si dhe vet të mbijetuarve.

Fillimisht (në Prill 2014) u miratua ligji i cili përfshiu edhe viktimat e dhunës seksuale nga koha e luftës, mirëpo u desh të kalonin katër vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit që të fillojë zbatimi i tij në praktikë dhe të fillonte procesi i aplikimit për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dhe atë pas insistimit të vazhdueshëm nga QKRMT dhe organizatat e tjera.

Udhëhequr nga QKRMT u hartua formulari për aplikim si dhe udhëzuesi për procesin e njohjes dhe verifikimit të statusit të personave të dhunuar  gjatë luftës.

QKRMT ka paraqitur rezultat e hulumtimeve të njohjes dhe verifikimit të statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë.

Përgjatë një viti të punës së Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit për personat e dhunuar gjatë luftës, raportohet se janë dorëzuar rreth 900 kërkesa për njohjen e statusit, nga të cilat rreth 200 personave iu është njohur statusi “viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës” ndërsa rreth 100 kërkesa janë refuzuar. QKRMT si organizatë e autorizuar nga MPMS, ka përgatitur dhe dërguar në Komision 214 kërkesa, nga të cilat 41 aplikuesve iu është njohur statusi, një është refuzuar, një është në proces të rishqyrtimit, ndërsa të tjerat janë në pritje të përgjigjes. Po ashtu, 5 rasteve që iu është refuzuar kërkesa për njohjen e statusit (raste që kanë aplikuar nga mekanizmat e tjerë), QKRMT iu ka përgatitur Paditë për Gjykatë.

Në vazhdën e kontributit në procesin e njohjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale, në muajt e fundit QKRMT ka inicuar krijimin e procedurave gjyqësore për trajtimin e Padive të palëve që iu është refuzuar njohja e statusit nga Komisioni. QKRMT ka realizuar takime me Kryetaren e Gjykatës Themelore në Prishtinë si dhe me Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe ka adresuar qështjet për trajtimin e këtyre rasteve pranë gjykatës.

QKRMT vlerëson punën e Komisionit në trajtimin e kërkesave, mirëpo shpreh shqetësimin për kohëzgjatjen e trajtimit të tyre. Ka raste të cilat janë duke pritur për më shumë se dhjetë muaj për shqyrtimin e aplikacionit. Vonesat dhe pritjet në shqyrtimin e aplikacioneve kanë shkaktuar reagime dhe pakënaqësi të aplikantëve. Në veçanti këto pritje janë dekurajuese për të mbijetuarit që ende janë në dilemë për të aplikuar apo që nuk kanë mbështetjen e familjes për këtë proces.

QKRMT në vazhdimësi ka punuar dhe vazhdon të kontribuojë në fuqizimin e kapaciteteve dhe harmonizimin e qasjes së punës për anëtarët e Komisonit si dhe të të gjithë akterëve tjerë në këtë proces, duke sjellur ekspertët dhe praktikat e punës të vendeve që kanë kaluar nëpër këtë proces.

Përkundër vështirësive të Komisionit për t’i trajtuar kërkesat brenda një periudhë të shkurtër, organizimi i Komisionit dhe modeli i Kosovës, po vlerësohet ndërkombëtarisht si njëri ndër më të mirët në fushën e reparacionit për viktimat e dhunës seksuale në konflikte.

Praktika e Kosovës u prezantua në organizimet ndërkombëtare, si në konferencën ndërkombëtare “Nga fjalët në vepra: riparimi i plagëve të dhunës seksuale nga koha e luftës,”  organizuar nga Dr. Denis Mukwage Foundation, në Hagë. Së fundi, praktika jonë një vëmendje të veçantë mori edhe në New York, në takimin konsultativ mbi iniciativën globale për krijimin e fondit ndërkombëtar për dëmshpërblimin e viktimave të dhunës seksuale në konflikte.  

Puna dhe kontributi i QKRMT-së përgjatë dy dekadave në mbështetje të të mbijetuarve të luftës në Kosovë, përkatësisht të mbijetuarve të dhunës seksuale është njohur dhe vlerësuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili më 23 mars 2018 Drejtoreshës Ekzekutive të QKRMT-së, znj.Feride Rushiti, i ndau Çmimin prestigjioz Ndërkombëtar për Gratë e Guximshme, si njohje e kontributit në trajtimin dhe njohjen e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

QKRMT ka vazhduar me fushata vetëdijësuese për luftimin e stigmës dhe motivimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës për aplikuar për njohjen e statusit. Në kuadër të kësaj fushate, në shënimin e 19 vjetorit të themelimit të QKRMT-së, e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës, znj.Vasfije Krasniqi Goodman, u paraqit publikisht dhe rrëfeu përjetimin e saj.

Të ngjashme