Për një vit e gjysmë, raportohen 343 raste të personave të zhdukur

Prishtinë | 14 Qer 2019 | 09:28 | Nga Ekonomia Online

Që nga fillimi i vitit të kaluar, në Policinë e Kosovës janë raportuar 343 raste të personave të zhdukur. Prej tyre, 248 raste janë raportuar gjatë vitit 2018, ndërsa në gjashtë muajt e parë të këtij viti, janë raportuar 95 raste.

Megjithatë, në Policinë e Kosovës nuk kanë treguar se sa prej këtyre rasteve janë zgjidhur, e as për natyrën dhe lidhjen eventuale të këtyre rasteve, me raste të tjera, si: migrimi ilegal pa informuar familjen, martesa apo bashkëjetesë pa informim të familjes, trafikim me qenie njerëzore, apo të tjera.

Sipas disa të dhënave të prezantuara nga Policia e Kosovës, në janar të këtij viti, rastet e trafikimit me qenie gjatë vitit 2018 kanë shënuar rënie në krahasim me vitin paraprak. Gjatë vitit 2018 numri i viktimave të trafikimit ka qenë 15, prej tyre 12 me shtetësi të Kosovës. Kurse një vit më herët, më 2017, numri i viktimave ka qenë dyfish më i lartë, 32, prej tyre 25 me shtetësi të Kosovës.

Pos trafikimit të organizuar, përmes rrjeteve kriminale, sipas Drejtoreshës Ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, së fundmi Kosova është e rrezikuar nga lloj i ri i trafikimit me qenie njerëzore – ai individual.

“Kohëve të fundit Kosova po rrezikohet nga trafikimi individual me qenie njerëzore, ku një person merr një grua dhe nuk ka rrjet të bashkëpunimit të trafikimit dhe është shumë vështirë të evitohen dhe Policia e ka shumë të vështirë t’i evidentojë këto raste, sepse edhe në rajon është shumë i përhapur ky lloj trafikimi, dhe i rrezikshëm. Sepse ndodh që gratë, vajzat e reja apo edhe djemtë e ri të bien pre e këtij lloj mashtrimi, të trafikimit, të zhduken ose të ndodhë të martohen me forcë, ose ndodhë ta dërgojnë në një vend tjetër në regjion apo vende tjera”, tha ajo.

Demolli kërkon veprim të institucioneve shtetërore, pasi, sipas saj, niveli i lartë i papunësisë dhe varfërisë ndër gra, bën që ato të bien pre e mashtruesve dhe trafikantëve, të cilët përdorim punën si karrem.

“Nuk duhet të jemi neglizhentë në këto situata, sepse papunësia është shumë e madhe, varfëria shumë e madhe e grave. Në Kosovë janë vetëm 12 për qind e grave që janë të punësuara dhe kanë një pagë, dhe papunësia kaq e madhe, sidomos e grave të reja, bën që lehtë të bien pre e mashtrimeve, sepse trafikantët përdorin punësimin si një lloj joshje për të komunikuar dhe për të keqtrajtuar dhe abuzuar viktimën”, theksoi Demolli.

Shpesh raste të tilla, që raportohen si zhdukje, përfundojnë edhe në martesë apo bashkëjetesë, qoftë të detyruar apo me dëshirë, por edhe lidhje të të miturve. Në këto raste, pjesa më e madhe janë vajza nga komunitetet rom, ashkali e egjiptas.

Lidhur me këtë, Demolli beson se institucionet shtetërore duhet t’i fuqizojnë mekanizmat e mbrojtjes dhe kujdesit ndaj viktimave të këtyre rasteve, që, sipas saj, shpesh “përfundojnë në viktima të abuzimit dhe mashtrimit”.

“Realisht, për këto raste duhet një vëmendje, duhet të jenë punëtorët socialë, psikologët, sepse të zhduket një qytetare, brenda natës, siç ndodhi këto ditët e fundit, ku një grua u zhduk, dhe shteti të mos i ketë mekanizmat e vetë që alarmon, viziton viktimën, shoqërohet me një psikolog, e mbanë në vëzhgim, në kuptim të jetës se çfarë ndodh më pas atë person që në rrethana të paqarta ka lënë shtëpinë dhe ka ikur, nuk është e lehtë, me siguri ka ikur nga një vendi dhunës ose po gjen një vend të dhunës”, shtoi drejtoresha e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore.

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2017 nën dyshimin për kryerje të veprës penale trafikim me qenie njerëzore janë arrestuar 203 persona, ndërsa vitin e kaluar, për të njëjtat dyshime janë ishin të arrestuar 263 persona.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme