Për pesë muaj, policia shqipton afro 108 mijë gjoba për mosrespektim të masave anti-Covid

Prishtinë | 31 Dhj 2020 | 15:41 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka shqiptuar afro 108 mijë tiketa për mos-respektim të masave parandaluese të koronavirusit të ndërmarra nga qeveria, që nga 26 gushti deri më 30 dhjetor.

Diçka të tillë e ka konfirmuar Zyra për Informim e PK’së për Express, derisa ka thënë se të dhënat janë të përgjithësuara, pa ndonjë dallim për mos-zbatim të masave.

“Policia e Kosovës, të gjitha veprimet e saja i ndërmerr konform autorizimeve ligjore që ka, përfshirë angazhimet policore në zbatim të ligjit NR. 07/L-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, ku në tërë territorin e Republikës së Kosovës nga data – 26.08.2020 deri më datën 30.12.2020 janë shiptuar 107.791 Fletëparaqitje (tiketa), në bazë të ligjit ndaj personave pa dallime për moszbatim të masave ndaj pandemisë Covid-19”, thuhet në përgjigjen e dërguara nga ZIMP’ja.

Në mesin e vendimeve të shënuara në Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë përkufizohet se personi fizik i cili nuk mbart maskën dhe nuk e mban distancën, dënohet me gjobë prej 35 eurosh.

Ndërkaq, në këtë ligj, nënvizohet edhe ndalimi i organizimit të aktiviteteve, sikundër janë ahengjet, pikë kjo që në rast mos-respektimi, pason dënimi 200 euro për persona fizik, e 2,000 sosh për persona juridik.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme