Për pesë vjet janë përmbaruar mbi 32 mijë lëndë gjyqësore

Prishtinë | 16 Kor 2019 | 10:38 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Oda e Përmbaruesve Privat ka shënuar 5-vjetorin e përmbarimit privat në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Odës së Përmbaruesve Privat, Arben Gashi, tha se gjatë 5 vjetëve Oda ka shënuar rritje të profesionalizmit duke u munduar të ketë besimin e plotë të qytetarëve të Kosovës, por pos progresit të shënuar, Oda në këtë periudhë ka pasur edhe sfidat e saj.

“Gjatë këtyre 5 viteve është shënuar rritje e dukshme të mekanizmit të përmbarimit në Kosovë. Në këtë periudhë kemi pas ndihmën e Ministrisë se Drejtësisë e të institucioneve tjera të Kosovës, projektet e BE, kemi pas sakrifica të kolegëve përmbarues që ky sistem i përmbarimit të funksionoj”, tha Gashi.

Ai tha se për 5 vjet janë arritur të përmbarohen mbi 32 mijë lëndë gjyqësore.

“Gjatë këtyre viteve të punës është rikthyer besimi i ndjeshëm i qytetarëve në sistemin gjyqësor dhe janë përmbaruar mbi 32 mijë lëndë gjyqësore”, shtoi Gashi.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, Qemajl Marmullakaj, tha se Ministria e Drejtësisë u siguron se brenda fushë veprimit të tyre do të përkrahë Odën për ngritjen e profesionalizmit të përmbaruesve privat.

“Ngritja e mëtutjeshme dhe profesionalizmi i përmbarueseve kontribuon në rritjen e kualitetit të drejtësisë dhe e mbron interesin publik dhe ne jemi partner në këtë rrugëtim, ne jemi të vetëdijshëm që ende ka punë për të bërë për të ngritur një sistem efektiv përmbarues”, tha Marmullakaj.

Makifete Saliuka nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) tha se do të vazhdojnë të ketë bashkëpunim me këtë Odë pasi që drejtësia e qytetarëve në këtë mënyrë nuk vonohet.

“Qëllimi i themelimit të sistemit të përmbarimit privat ka qenë zvogëlimi i lëndëve të gjykatave dhe për të u shërbyer qytetarëve të u realizohen të drejtat e tyre”, tha Saliuka.

Drejtoresha e Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje nga USAID-i në Kosovë, Christina Davis, tha se Qeveria duhet të vazhdojë të përkrahë Odën e Përmbaruesve në mënyrë që të rritet edhe më tej efikasiteti i tyre, raporton EO.

“Sistemi privat në Kosovë ka arritur sigurinë e përmbarimit privat, sistemi privat ka fuqizuar sistemin gjyqësor të Kosovës, sistemi privat ka ende për të arritur kapacitete në formën efektive dhe fuqizimi i sistemit mund ta zvogëloj nivelin e korrupsionit”, tha Davis.

“Llogaridhënia dhe transparenca e sistemit të përmbarimit privat mund të përmirësohet, por kjo varët edhe nga vullneti i Qeverisë dhe sistemit gjyqësor nëse nuk mbështetën këto mund të humbët profesionalizmi”, tha ajo.

Kryetari i Unionit Ndërkombëtar i Përmbaruesve Gjyqësore, Mark Schmitz, tha se për pesë vjet ka pasur rritje të efikasitetit.

“Drejtësia e shpejtë dhe efikase është esenciale dhe është e domosdoshme të përshtatet në aspektin e zyrtarëve të përmbarimit dhe të u jepet statuti i sotëm, efikasiteti i përmbaruesve privat gjatë këtyre viteve në Kosovë është rritur”, tha Schmitz.

Në fund të ceremonisë, Oda e Përmbaruesve Privat të Kosovës ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Odën e Përmbaruesve Privat të Bullgarisë dhe Malit të Zi.

Ndërsa, u shpërndanë mirënjohje edhe për bashkëpunëtorët e Odës për gjatë 5 vjetëve ekzistencë.

Lexo më shumë:

Të ngjashme