Për shkak të Coronavirusit anulohen aktivitetet për shënimin e Ditës së të Pagjeturve

Prishtinë | 26 Pri 2020 | 16:20 | Nga Ekonomia Online

Akademia Përkujtimore në Mejë, Gjakovë dhe Marshi Përkujtimor në Prishtinë, si aktivitete të përvitshme, për shënimin e 27 Prillit – Dita e të Pagjeturve të Kosovës, nuk do të mbahen për shkak të pandemisë COVID-19.

Kjo është bërë e ditur nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës dhe Shoqatën ’27 Prilli 1999 Mejë’.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me shoqatat e familjeve të personave të zhdukur  do të vazhdojnë të jenë në angazhim dhe përpjekje të vazhdueshme që familjeve të personave të zhdukur t’ua lehtësojmë barrën e pritjes dhe ankthit të pritjes t’i vijë fundi.

Me këtë rast i bëhet thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të shtojnë trysnin ndaj Serbisë për të qenë më bashkëpunuese në këtë proces, para se gjithash për të hapur arkivat e ish-Ushtrisë Jugosllave dhe për të ofruar informatat mbi fatin dhe vendndodhjen e personave të zhdukur.   ​

Ndryshe, edhe 1641 persona, vazhdojnë të jenë të evidentuar të zhdukur si pasojë e luftës.

Të ngjashme