Për herë të dytë lirohet nga akuzat për korrupsion inspektori i KPMM-së

Prishtinë | 18 Kor 2018 | 16:16 | Nga

Aktgjykimi ndaj tij, është shpallur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Pejë, nga kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj.

Sipas gjykatësit Lokaj, nuk është provuar se i akuzuari Çitaku ka kryer veprat penale me të cilat ngarkohej.

Kurse, të dëmtuarit Bedri Elezaj, Naser Kalludra, vëllezërit Podrimja, Jeton Aliçkaj dhe Gëon Berisha, për realizimin e kërkesës pasurore juridike, janë udhëzuar në kontest civil.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit ishte i pranishëm i akuzuari Çitaku, kurse ka munguar prokurorja e rastit, Sahide Gashi dhe mbrojtësi i të pandehurit, Mahmut Halimi.

Inspektori i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Lulzim Çitaku, për herë të dytë, në mungesë të provave, është liruar nga akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare si dhe të marrjes së ryshfetit.

I akuzuari Çitaku edhe më 23 shtator të vitit 2015, në mungesë të provave, ishte shpallur i pafajshëm për keqpërdorim të detyrës zyrtare si dhe marrje të ryshfetit, raporton “Betimi per drejtesi”.

Por, kundër këtij aktgjykimit me 1 dhjetor 2015, kishte paraqitur ankesë Prokuroria Themelore në Pejë, me pretendimet për vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Gjykata e Apelit me aktvendimin e saj më 20 shtator 2016, sipas ankesës së Prokurorisë dhe sipas detyrës zyrtare, e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë dhe çështjen penale e ka kthyer gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.

Në arsyetimin e këtij aktvendimi, thuhej se Gjykata e Apelit, në pajtim më nenin 394 par. 1, duke e shqyrtuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, sipas pretendimeve ankimore dhe sipas detyrës zyrtare, ka gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë, është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, gjykata e shkallës së parë ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e nenit 327 të KPP-së, kur i akuzuari nuk e pranon fajësinë për pikat e aktakuzës dhe i akuzuari është marrë në pyetje në kundërshtim me dispozitat e nenit 345 par.1 të KPP, ngase marrja në pyetje e të akuzuarit bëhet pas paraqitjes dhe prezantimit të provave, në rastet kur i pandehuri nuk e pranon fajësinë.

Tutje, dispozitivët e aktgjykimit nën I dhe II, sipas Apelit, janë të paqarta, të pakuptueshme lidhur me faktet vendimtare dhe Gjykata nuk ka dhënë arsye të qarta lidhur me drekat dhe darkat të cilët të dëmtuarit Gëzon Berisha, Naser Kalludra, Jeton Aliqkaj, Vëllezërit Podrimja, e qerosin të akuzuarin Lulzim, dhe gjykata e shkallës së parë nuk vërteton se sa ka qenë vlera e atyre darkave të shtruara nga ana e të dëmtuarve.

Ndryshe, Lulzim Çitaku akuzohej se në cilësinë e inspektorit në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), më 8 nëntor 2013, rreth orës 14:15, në fshatin Gremnik të Komunës së Klinës, përfiton për vete në atë mënyrë që pas marrëveshjes të një nate më herët tani me të dënuarin Nuredin Bislimi, shkojnë në vendpunishten e dëshmitarit Bedri Elezaj dhe derisa i dënuari Bislimi, i merr të hollat prej 1000 euro nga dëshmitari Elezaj, i pandehuri Çitaku, kontrollon terrenin se mos është duke i vëzhguar dikush dhe pas marrjes së të hollave largohen së bashku me veturë zyrtare me ç’ rast ndalohen nga hetuesit e policisë, të cilët i kishin nën përcjellje, ku të hollat e fotokopjuara gjenden në xhepin e të dënuarit Nuredin. Dhe, me këtë akuzohej ka kryer vepër penale të marrjes së ryshfetit.

Kurse, në pikën e dytë të aktakuzës, i pandehuri akuzohet se gjatë periudhës 2011, deri më 8 tetor 2013, në regjionin e Pejës, Klinës, Deçanit e Gjakovës, në cilësinë e personit zyrtar, me qëllim të përfitimit të dobisë për vete, kërkon nga pronari i operatorit “Ndërtimi, Gëzon Berisha, “Benita Compani”, me pronar Naser Kalludra, “Ermali”, me pronar Jeton Aliqkaj, e vëllezërit Podrimja nga Gjakova, ta qerasin me darka e dreka nëpër lokale të ndryshme, për të mos u shqiptuar gjoba për operimin e të njëjtave pa licencë ose jashtë licencës së lëshuar nga KPMM-ja.

Të ngjashme