Përfaqësuesit nga Kosova pjesë e trajnimit mbi diplomacinë digjitale në Slloveni

Prishtinë | 03 Dhj 2017 | 13:13 | Nga

Përfaqësues të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës dhe të Ambasadës së
Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë morën pjesë në trajnimin ambicioz mbi“Fuqizimin e diplomacisë dixhitale në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës Lindore”,nga datat 28-30 nëntor, në Bled të Sllovenisë.

Në trajnimin i cili mblodhi mbi 70 pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnjë dhe Hercegovina, Gjeorgjia, Molldavia, Ukraina, të pranishëm ishin edhe diplomatë të njohur digjitalë ndërkombëtarë, ekspertë të marrëdhënieve me publikun, redaktorë të mediave digjitale dhe entuziastë të tjerë digjitalë.

Ky projekt është sponsorizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit, ndërsa është zbatuar nga Qendra sllovene për Perspektivën Evropiane (CEP) me mbështetje financiare nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Sllovenisë në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillim.

Ndërmarrje të tilla si trajnimi në Bled janë të një rëndësie të veçantë në kohën kur po jetojmë në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, ku diplomacia dixhitale po shndërrohet në një mjet gjithnjë e më të rëndësishëm dhe të pashmangshëm, jo vetëm për liderët botërore, por edhe për vetë qytetarët anekënd botës.

Përmes trajnimit që mbuloi një varg temash, nga teoria e marrëdhënieve me publikun dhe diplomacisë publike e gjer në përdorimin specifik të mjeteve digjitale dhe shembujve praktikë të fushatës digjitale, zyrtarë të lartë të nëntë shteteve pjesëmarrëse, por edhe përfaqësues të ambasadave të ShBA-së në këto shtete, konsoliduan njohuritë dhe aftësitë e tyre të komunikimit dhe ndërtuan një rrjet profesionistësh të diplomacisë digjitale.

Siç njofton Qendra për Perspektivën Evropiane (CEP), dita e parë e trajnimit i është kushtuar prezantimeve nga ana e përfaqësuesve të organizatorëve, Gautam Rana, Zëvendës Shef i Misionit në Ambasadën e SHBA-së në Slloveni, Sabina R. Stadler, Drejtore e Përgjithshme ranë Drejtorisë për Çështjet Shumëpalëshe, Bashkëpunim për Zhvillim dhe të Drejtën Ndërkombëtare në MPJ të Sllovenisë, dhe Peter Grk, Sektretar i Përgjithshëm i Forumit Strategjik dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të Qendrës për Perspektivën Evropiane.

Më pas, siç thuhet në përmbledhjen e CEP, pjesëmarrësit u përqendruan në të ardhme digjitale, duke diskutuar për rëndësinë e pranisë në internet, për gjendjen e tanishme të mediave digjitale në Evropë dhe për audiencat që do të ishin në shënjestër të institucioneve.

Tregimet e ndryshme, keqinformimi dhe ndërtimi i ekosistemit digjital gjithashtu u trajtuan nga ekspertë të shquar, në mesin e tyre Shawn Powers, Lee Nilsson dhe Matt Jacobs nga Departamenti amerikan i Shtetit, Mathias Lüfkens, nga kompania Burson-Marsteller, Marko Zoric, redaktor i kanalit të BBC në YouTube, dhe Natasha Brishki dhe Aljazh Pengov Bitenc nga Instituti për njerëz me mendje të hapur “Metina lista”.

Dita e dytë e trajnimit solli një përshkrim të hollësishëm të fushatave dixhitale, duke filluar me një seancë mbi ndërlidhjet ndërmjet fushatave dixhitale dhe bashkëpunimit zyrtar zhvillimor në rastin e Sllovenisë, ku Dr. Mellita Gabriç, Simona Vuçak dhe Miriam Mozhgan nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Sllovenisë prezantuan aktivitetet në kuadër të diplomacisë
sllovene.

Gjithashtu, pjesëmarrësve u janë dhënë skenare të ndryshme përmes të cilave ata duhej të ndërtonin një fushatë digjitale, duke iu përgjigjur pyetjeve më të rëndësishme që shfaqen në procesin e planifikimit. Sharon Yang nga Facebook bëri prezantimin qendror për rëndësinë e komuniteteve digjitale.

Në ditën e fundit të trajnimit, raporton CIP, iu kushtua aspekteve pamore, video-përmbajtjeve dhe YouTube-it si një kanal të komunikimit, me ç’rast prezantuan Marko Zoric, redaktor i kanalit të BBC në YouTube, dhe Oliver Mertz nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Aljazh Pengov Bitenc dhe Natasha Brishki nga “Metina lista” reflektuan mbi rrugëtimin e tyre drejt ndërtimit të një platforme mediale online, ndërsa Jeremy Caplan nga Qendra Tow-Knight për Gazetari
Ndërmarrëse, universiteti CUNY Graduate School of Journalism, nxiti pjesëmarrësit në debat dhe pyetje të gjallë me prezantimin e tij interaktiv përmes të mësuarit nëpërmjet të bërit vetë (“learning-by-doing”) përkitazi me mjetet për prodhimin e përmbajtjes në internet.

Në linkun e mëposhtëm do të gjeni përmbledhjen nga CEP dhe foto-galerinë nga trajnimi:
https://www.cep.si/digital-diplomats/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme