Përfshirja e të rinjve kosovarë në grupe ekstremiste, pasojë e izolimit dhe e përdorimit të internetit

Prishtinë | 20 Qer 2018 | 11:15 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Grupi i Deputetëve të Rinj të Kuvendit të Kosovës, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar Demokratik (NDI), kanë mbajtur tryezën me temën “Deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm”.

Kryesuesi i Grupit të Deputetëve të Rinj, Fidan Rekaliu, tha se të rinjtë e Kosovës janë të prekur nga ekstremizimi, i cili konsiderohet problem global.

“Përdorimi i internetit ka krijuar rrugë më të lehta të ekstremizmit përmes shpërndarjes së materialit propagandues nëpër rrjete sociale dhe, sipas një studimi të kryer nga Shoqata për Teknologji të Informacionit të Komunikimit në Kosovë, Kosova është vendi me mbulueshmërinë më të lartë të internetit”, tha Rekaliu.

Rekaliu tha se izolimi i padrejtë i të rinjve kosovarë ka bërë që kosovarët të jenë më të ekspozuar dhe të prekshëm në rekrutimin e organizatave terroriste, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i Institutit Kombëtar Demokratik në Kosovë, Alexander Chavarria, tha se Kuvendi i Kosovës është roli kyç dhe duhet të punojë më tej në legjislacione të cilat do të ndihmonin luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Ai tha se në këto dy dekadat e fundit ka pasur rritje të konflikteve dhe veprave terroriste të ngritura nga ekstremizmi religjioz dhe se këto akte kanë vënë frikë në komunitete dhe kanë kërcënuar paqen ndërkombëtare dhe sigurinë.

“Kosova është etnikisht e ndarë dhe kërkon punë të madhe, përkundër faktit që toleranca është vlerë e Kosovës dhe multikulturalizmi janë vlera kryesore në kushtetutë, por plagët e luftës janë ende të thella dhe kjo është një mundësi për të ecur përpara dhe për t’i adresuar personat e zhdukur e të zhvendosur dhe ndarjet etnike qe do të mundësohet proces më të lehtë të trajtimit dhe e ardhmja e vendit si t’i normalizojmë relacionet në mes shqiptarëve dhe serbëve dhe komuniteteve të tjera dhe këto janë disa mjete që mund të ndihmojnë në parandalimin e ekstremizimit të dhunshëm”, tha Chavarria.

Zëvendëskryetarja e parë në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu, tha se ekstremizmi i dhunshëm nuk është diçka e re, sepse që nga njerëzimi kanë ekzistuar edhe grupet qe kanë ushtruar dhunë.

Musliu tha se secili nga ne duhet të merrte hapa parandalues ndaj kësaj dukurie, duke filluar nga familja dhe të bëhet edukimi i mirë i fëmijëve dhe me organizime të këtilla të përfshihen sa më shumë të rinj që të jenë të angazhuar në zhvillimin kritik.

“Diskutimi mbi ekstremizmin duhet të tërheqë vëmendjen e të gjithave shtresave dhe secili ka rol kyç në zhvillimin e orientimit të shoqërisë dhe roli i mediave në orientimin e tyre si të keq apo mirë është i pakrahasueshëm dhe mendoj që duhet të kemi gazetarë të trajnuar dhe të edukuar mirë që të trajtojmë tema të tilla, duke marrë parasysh ndikimin e tyre në shoqëri”, tha Musliu.

Musliu shtoi se në Kosovë duhet të ketë edukim dhe monitorim më të madh dhe të rregullt te ligjëruesit fetarë, për shkak që keqinterpretimi i tyre ka ndikuar dukshëm që shumë të rinj të bëhen pjesë e organizatave terroriste.

Koordinatori Kombëtar për parandalimin e ekstremizmit, Lulzim Fushtica, tha se rreziku ndaj ekstremizmit nuk është diçka e re dhe ky është një fenomen global. Ai tha se qeveria e Kosovës në vitin 2015 ka harruar një strategji që përmban plane veprimi dhe për këto 3 vite ka pasur sukses të mirë, por nuk mund të ketë zhdukje të plotë ndaj këtij fenomeni.

“Komunat dhe Ministria e Arsimit kanë mungesë të psikologëve dhe pedagogëve në shkolla të Republikës së Kosovës, p.sh. Komuna e Vitisë e ka vetëm një psikolog në tërë komunën e vet, d.m.th. nëse dëshirojmë të punojmë me të rinjtë atëherë duhet t’u japim më shumë mundësi që të punohet me ta”, tha Fushtica.

Të ngjashme