Përfundon e qetë protesta e serbëve në veri

Prishtinë | 28 Nën 2018 | 13:07 | Nga Ekonomia Online

Me një numër më të vogël të protestuesve, protesta kundër taksës së mallrave serbe si dhe arrestimeve të fundit ka përfunduar e qetë.

Protestuesit mbanin në duar disa pankarta ku treguan pakënaqësitë dhe mungesat e tyre ushqimore, “Nuk kemi ilaçe”, “Po na rrihni e po na terrorizoni”, “Stop dhunës nga Prishtina” etj.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Igor Simiq në fjalimin e tij para protestuesve ka thënë se asnjëherë institucioneve të Kosovës nuk iu ka interesuar se si jetojnë qytetarët serb në veri të vendit.

Simiq tha se në të gjitha protestat të cilat do t’i mbajnë do të japin një mesazh të qartë institucioneve vendore se serbët janë të bashkuar dhe gjithmonë do të jenë, shkruan telegrafi.

Ndërkaq siç u tha në protestë, protesta e radhës do të mbahet sërish nesër.

Ndryshe, të martën u mbajt protesta e fundit në të cilën morën pjesë me qindra protestues, e cila përfundoi e qetë dhe pa incidente.

Gjithashtu kryetarët e komunave serbë, një ditë më parë dhanë dorëheqje nga posti i tyre.

Ata deklaruan se kanë ndërprerë çdo komunikim me institucionet e Republikës së Kosovës dhe se nuk vlejnë më në veri të vendit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme