Përkujtohen dëshmorët Ilir Konushevci dhe Hazir Mala

Prishtinë | 09 Maj 2017 | 18:41 | Nga

Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në Tiranë është mbajtur Akademi Përkujtimore dhe janë bërë homazhe me rastin e nëntëmbëdhjetë vjetorit të rënies së Dëshmorëve të Kombit, Gjeneral Major Ilir Konushevci dhe Hazir Mala.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin drejtues të lartë të institucioneve të Kosovës, familjarë dhe bashkëluftëtarë të dëshmorëve Ilir Konushevci e Hazir Mala dhe qytetarë nga Kosova e Shqipëria.
Në emër të Qeverisë së Kosovës, të pranishmëve në këtë Akademi iu drejtua zëvendësministri i FSK-së, Muhamet Latifi.

Duke vlerësuar lartë luftën e lavdishme të Dëshmorëve të Kombit, Ilir Konushevci e Hazir Mala, zëvendësministri Latifi, tha se për dallim nga luftërat çlirimtare të popujve të tjerë, organizimi dhe lufta e UÇK-së në këtë drejtim ka pasur dy përparësi, sepse Kosova ka pasur Shqipërinë si bazë të zonës së lirë në prapavijë dhe ka pasur njerëzit dhe rrugët e saj për furnizimin me armatim të UÇK-së.

Të pranishmit në këtë Akademi me nga një fjalë i kanë përshëndetur kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini dhe gjenerali i FSK-së, Enver Cikaqi.
Ndërsa në emër të familjarëve të heronjve, të pranishmit i përshëndeti, bashkëshortja e heroit Hazir Mala,  Fatime Mala.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, me këtë rast ndau dekorata për dy heronjtë, Ilir Konushevci e Hazir Mala.
​Pas fjalimeve, u shfaq dokumentari titulluar “Buka e UÇK-së, historia e grupit të logjistikës-Mërgimi”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme