Përkujtohen dëshmorët Sokol Preteni, Qazim Cimili dhe Esat Meholli

Prishtinë | 29 Pri 2019 | 16:12 | Nga Ekonomia Online

Sot në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” buzë lumit Ibër, nën patronatin e kryetarit të komunës, Agim Bahtiri, u mbajt akademi përkujtimore kushtuar 20-vjetorit të rënies së tre dëshmorëve të kombit, Sokol Pretenit, Qazim Cimilit dhe Esat Mehollit.

Në fjalën e tij, Bahtiri tha se është mirë që organizohen tubime të këtilla përkujtimore, përmes të cilave kujtojmë kontributin e jashtëzkonshëm që kanë dhënë dëshmorët tanë në luftën për çlirimin e atdheut.

“Sot kemi ardhur për t’i nderuar këta tre heronjët e kombit shqiptar, të cilët nuk kursyen asgjë për ti dalur zot atdheut. Qendresa e Melenicës dhe Kosharja kanë qenë ndër betejat më të mëdha që duhet të mbahen mend nga historia e popullit shqiptar. Dhe këta burra të Shalës të cilët gjetën mundësinë të organizohen në mënyrën më të mirë të mundshme, për ti dalë zot atdheut, ne sot që jemi këtu dhe të gjitha instutucionet e Republikës së Kosovës duhet ti nderojmë dhe ti respektojmë për vullnetin, vizionin dhe sakrificën e tyre që e dhanë për këtë vend”, tha Bahtiri.

Po ashtu ai tha se këta heronjë për të cilët kemi ardhur sot dhe organizojmë akademi përkujtimore duhet t’i falenderojmë çdoherë që jemi gjallë, sepse ata dhanë jetën e tyre për lirinë të cilën e jetojmë ne sot.

“Ne sot duhet të kemi përgjegjësi morale dhe njerëzore për të çuar amanetin e tyre në vend, amaneti i tyre është që të jemi të qetë, të lirë, një shtet funksional, zhillimor dhe që ka pretendime në vizionin e Bashkimit Evropian”, tha ndër të tjerash kryetari Bahtiri.

Ndërsa në emër të familjarëve, Musa Preteni, tha se para 20 vitesh Sokol Preteni, Qazim Cimili dhe Esat Meholli, së bashku me shokët, bënë luftën më të ashpër që e njeh Shala e Bajgorës.

“Luftonin kundër ushtrisë serbe duke e mbrojtur tokën e baballarve, gjyshërve e stërgjyshërve, ata po luftonin për një qëllim, për vlerën më të lartë që ka njohur bota perëndimore, për vlerën e quajtur liri të cilën ne po e gëzojmë sot”, tha Musa Preteni.

Para të pranishmëve u shfaq edhe një film dokumentar “Dëshmorët që janë përjetësia e Epopesë së Melenicës”, kushtuar dëshmorëve të kombit, për të cilin foli edhe autori i dokumentarit Nusret Pllana.

Në këtë akademi përkujtimore ishin të pranishëm kryetari i komunës, Agim Bahtiri, zv.ministri i MMPH-së, Gjergj Beka, kryesuesi i Kuvendit të Mitrovicës, Safet Kamberi, drejtorë komunal, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, si dhe qytetarë të shumtë.

Të ngjashme