Përkujtohen të rënët e familjes Rama, Konjufca: Dëshmorët garantojnë themelet e forta të shtetit

Prishtinë | 27 Mar 2022 | 13:37 | Nga Ekonomia Online

Në tubimin e organizuar në Obiliq sot janë përkujtuar dhjetë dëshmorët e familjes Rama, ku në shenjë nderimi u vendosën kurora lulesh pranë lapidarit në këtë qytet.

Me këtë rast ishte i pranishëm edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, deputetët nga niveli qendror, bashkëluftëtarë e bashkëveprimtarë, familjar të dëshmorëve, martirëve, veteranë e invalidë të luftës.

Për të nderuar sakrificën për liri të anëtarëve të familjes Rama nga fshati Shkabaj i Obiliqit, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bëri homazhe dhe vendosi lule para lapidarit të të rënëve të kësaj familjeje.

Konjufca para të pranishmëve tha se dëshmorët dhe të gjithë ata të cilët kontribuuan për liri garantojnë themelet e forta të shtetit tonë.

Ai tha se rënia e familjes Rama, këtu e 23 vjet më parë, është vazhdimësi e sakrificës së familjes Jashari.

“Jemi mbledhur ta kujtojmë rënien e lavdishme të familjes Rama. Kjo sakrificë është ma e larta për atdhe, që njeriu mund ta mendojë. Burra e gra kanë luftuar për lirinë e fëmijëve tanë dhe të brezave të ardhshëm. Shembulli i familjes Rama na dëshmon se kurdo që atdheu është në rrezik nuk kursehet asgjë, e madje as vetë jeta”, theksoi kryetari Konjufca.

Më 27 mars të vitit 1999 forcat pushtuese serbe vranë 10 anëtarë të familjes Rama nga fshati Shkabaj i Obiliqit.​

Kurse, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social facebook tha se familja Rama ishte çerdhe e UÇK-së.

“Me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, deputetët nga niveli qendror, bashkëluftëtarë e bashkëveprimtarë, familjar të dëshmorëve, martirëve, veteranë e invalidë të luftës, Komandantin e SP-së, Nënkryetarin, asamblistët, ekzekutivin, bëmë homazhe pranë lapidarit të dëshmorëve të familjes Rama për të vazhduar tek lapidarët e martirëve të familjes Halimi dhe Haliti në 23 vjetorin e rënies në nderim të sakrificës së tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

“Në fjalën time, vlerësova kontributin e çmueshëm të të rënëve për liri, duke theksuar se dëshmorët e familjes Rama në krye me Agron Ramen, ishin çerdhja e lëvizjeve ilegale e deri tek çerdhja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj duke nderuar të rënët për liri, nderojmë vetveten dhe historinë e lavdishme të popullit shqiptar! I përjetshëm dhe i shenjtë do mbetet kujtimi për familjet Rama, Halimi, Haliti dhe Mërlaku!”, tha Gashi.

Të ngjashme