Përkujtohet Dëshmori i Kombit, Zejnullah Zejna

Prishtinë | 03 Qer 2019 | 12:15 | Nga Ekonomia Online

Kreu lokal i prirë nga Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu shoqëruar edhe nga drejtorë të drejtorive komunale, Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi Bytyçi, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së dega në Ferizaj, Rafiz Sejdiu, familjarë të dëshmorëve dhe bashkëluftëtarë, bënë homazh paraditen e sotme në nderim të jetës, veprës dhe sakrificës së Dëshmorit të Kombit, Zejnullah Zejna në 20 vjetorin e rënies së tij heroike.

Të përkulur para varrit të Dëshmorit të Kombit, Zejnullah Zejna, dhjetëra drejtues të pushtetit lokal e qytetarë, vendosën kurora lulesh në gurin e varrit të tij dhe nderuan gjithë Dëshmorët e Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kompleksin memorial të Varrezave të Dëshmorëve të Kombit të UÇK-së në Ferizaj.

Rafiz Sejdiu, kryetar i OVL UÇK-së në Ferizaj me këtë rast tha se në këto momente kthehemi në kohë duke kujtuar sakrificën e luftëtarëve që dhanë jetën për liri.

“Ne veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, saherë që gjendemi këtu jemi me emocione, sepse në këto momente kthehemi në kohë dhe kujtojmë kohën kur me këta dëshmorë ishim bashkë nëpër istikame, ishim bashkë me ta dhe thuajse shumica prej tyre në duart tona dhanë shpirt, dhanë jetën për ditën e sotme, andaj këto momente nuk janë të lehta për ne, janë jashtëzakonisht të rënda. Por në një mënyrë ndihemi pak më lehtë, sepse Kosova gjithmonë ka dhënë dëshmorë, në të gjitha etapat kohore, por ata dëshmorë nuk patën fatin të arrijnë këtë që arritën këta dëshmorët e sotëm. Këta arritën këtë që ne sot po e gëzojmë” tha Rafiz Sejdiu, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dega në Ferizaj.

Të ngjashme