Përkujtohet masakra e Likoshanit dhe Çirezit

Prishtinë | 28 Shk 2018 | 13:39 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Akademinë Përkujtimore me rastin e 20-vjetorit të Masakrës së Likoshanit dhe Çirezit, presidenti Hashim Thaçi ka thënë se masakrat e Likoshanit dhe Çirezit kanë qenë prijëse të rrugës së pashmangshme dhe të imponuar për liri, raporton Ekonomia Online.

“Ky përvjetor po përkon me shënimin e 10-vjtorit të Pavarësisë së Kosovës. Qytetarët e Kosovës e shënuan me dinjitet. Kjo arritje nuk do të bëhej pa sakrificën dhe gjakun e dëshmorëve. Po ashtu flijimin e familjeve tuaja. Më 28 shkurt Kosova hyri në fazë të re politike e shtetërore, në fazën e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare kundër ushtrisë dhe policisë serbe. Pas masakrës në Likoshan dhe Çirez nuk do të vonoj edhe sulmi në Prekaz. Kosova po hynte në rrugën e pashmangshme të imponuar për liri”, tha Thaçi.

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, tha se ngjarjet në Drenicë do t’i përcjell historia e Kosovës sepse ky rajon ka qenë vatër e çlirimit.

“Asnjë forcë hakmarrëse nuk do të mund të shuante vatrën e çlirirmit, Drenicën heroike dhe për këtë të gjithë jemi krenar. Rrethanat në të cilat ndodhi ngjarja duhet t’i përcjell historia e kësaj ane. Drenica me shekuj është vatër e kryengritjes. Në këtë ditë u zhvillua beteja e lavdishme por edhe betejë jo e barabartë”, tha Jashari.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka dekoruar me urdhrin “Hero i Kombit” dy dëshmorë që ranë në masakrën e Likoshanit dhe Qirezit më 28 shkurt të vitit 1998.

Në këtë masakër përveç civilëve në përleshje me forcat serbe kanë rënë Rexhep Rexhepi dhe Beqir Rexhepi. Dekorimi i tyre u bë me rastin e 20 vjetorit të kësaj masakre ku për nder të saj është mbajtur një akademi përkujtimore.

Të ngjashme