Përkujtohet veprimtari Bali Dervishi, thuhet se vepra e tij duhet të jetë motiv për gjeneratat e reja

Prishtinë | 03 Pri 2019 | 13:44 | Nga Nexhmie Hyseni Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shoqata e të Burgosurve Politikë dhe Shoqëria “Lëvizja” kanë organizuar akademi përkujtimore në 5-vjetorin e vdekjes së veprimtarit, Bali Dervishi, raporton Ekonomia Online.

Në këtë akademi Bali Dervishi është kujtuar si njeri atdhedashës dhe intelektual që kishte punuar për të mirën e vendit.

Hydajet Hyseni, kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë, ka kujtuar të ndjerin Dervishi si njeri shembull.

“Kësaj radhe na ka bashkuar Bali Dervishi në 5-vjetorin e vrasjes së tij. Bali Dervishi ishte njëri nga organizatorët e pranverës në Vushtrri dhe ishte nga ata që i ka qëndruar besnik vendit. 5 vjet pa Bali është një boshllëk për familjen dhe Shoqatën e të Burgosurve. Për gjithçka ishte shembull, ai ishte njëri që dallohej për përkushtimin e tij si në fazat e mëparshme, punonte me një zell djaloshar, kishte jo vetëm përkushtimin, por edhe përvojën edhe pedanterinë dhe puna e tij binte në sy. Ishte bashkues, ishte njeri që shihte atë që na bashkon jo atë që na ndanë. Zellin dhe përkushtimin e tij do ta kemi model për punën e ardhshme, i kemi borxh Baliut jo vetëm respektin, por edhe shumëçka tjetër. Tani kemi shumë probleme jam i sigurt se po të ishte Bali Dervishi do t’i qartësonte këto probleme”, ka thënë Hyseni.

Tahir Krasniqi, kryetar i degës së Shoqatës së të Burgosurve në Vushtrri, Dervishin e ka kujtuar si njeri punëtor dhe i afërt me të gjitha institucionet në Vushtrri.

” Bali Dervishi ishte dhe do të nderohet jo vetëm ne vitet në burg. Ishte shumë punëtorë. Ishte ndër të paktët që kishte krijuar raporte dhe bashkëpunim me të gjitha institucionet. Fjala dhe organizimet ishin të veçanta, kishte plotë ide që sot asnjëherë s’janë realizuar nga ne”, ka thënë Krasniqi, raporton EO.

 Meriman Braha,  shok i Bali Dervishit, ka kujtuar kohën në burgjet e ish-Jugosllavisë.

“Burgjet e ish-Jugosllavisë kanë qenë gjithmonë me të dënuar politikë shqiptarë për shkak të kundërshtimit të vazhdueshëm të shqiptarëve. Ai u angazhua fuqimisht për daljen në demonstratat e vitit 1981. Baliu e ka pas një të keqe, ka pi duhan e unë gjithmonë ju kam bë presion. Kemi luajtur shumë shah ka pas qejf me pas një shah të mirë,s hahu ka qenë një lloj terapie. Unë them se duhet të jeni krenarë dhe kujtimi i tij të rroj përjetë”, tha Braha.

Kryetar i Kuvendit të Vushtrrisë, Nasuf Aliu, tha se vepra e patriotëve është motiv për gjeneratat e reja.

“Sjell përzemërsisht falënderime  për punën e madhe që keni bërë që motivuat Ushtrinë Çlirimtare. Vepra juaj s’është vepër individuale, por kolektive që motivoi gjenerata se një komb i shtypur s’është rruga e vetme për të arritur lirinë siç arriti Kosova. Gjithë vuajta e tij ka qenë e shpërfaqur në duart e tij”, u shpreh ai.

Bali Dervishi lindi në Gradicë në vitin 1939. Dervishi ishte organizator i demonstratave të  vitit 1981 në Vushtrri.  Veprimtari Dervishi tërë jetën e kishte vënë në shërbim të  Bashkimit Kombëtar.

Të ngjashme