Përkujtohet veterani Haradin Bala, thuhet se ishte njeri i besës dhe dijes

Prishtinë | 31 Jan 2019 | 14:42 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me rastin e një vjetorit të vdekjes, me një akademi përkujtimore të organizuar nga Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, në Drenas u përkujtua veterani Haradin Bala.

Aty për Balën u tha se ishte njeri i besës dhe dijes, raporton Ekonomia Online .

Zv. Kryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, tha se ishte njeriu më i afërt i Balës. Limaj tha se në këtë përvjetor atë me Balën e ka bashkuar kujtimi përmes luftës çlirimtare.

“Jemi 20 vite pas luftës e tani ne bashkëluftëtarët që ende ecim mbi tokë na mbetet t’i shfrytëzojmë këto momente për shokët tanë. 1 vit pas e kujtojmë një mik e një shok që kujtimi na ka bashkuar përmes luftës çlirimtare. Kam pas fatin që tepër afër ta njoh Haradinin, të jemi bashkë në situata që ju i dini”, tha Limaj.

Ai tha se Haradini ka pasë fatin që të rritet në një familje ku prindi i tij ishte kultivues i mençurisë së odave tona.

“Njerëzit me mençuri kanë thënë që budalla i komplikon gjërat e mençura ndërsa i mençuri punët e vështira i bën të lehta. Sado me situata të komplikuara Haradini i ka kalu, i ka thjeshtuar ato”, tha ai.

Limaj para të pranishmëve pati edhe një porosi.

“Porosia ime për ju është se kujtimi për dëshmorët nuk bëhet vetëm për ta kujtuar veprën e tyre. Është mirë që ne të shërbehemi me veprat e tyre. Lufta na ka bashkuar ndërsa marifeti i kësaj jete është se si do shkojmë ne nga kjo jetë. Haradini është shembull në mënyrën se si ka shku. Sot jemi këtu të gjithë dhe ndihemi krenar qe kemi bashkëpunuar me atë burrë. Përcaktimi është si e shkruan ai nalt ndërsa detyra jonë është me ndejtë në këmbë këtu”, tha Limaj.

I pari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se Bala kishte dëshmuar sakrificën e tij për vendin edhe në kohën kur ai ishte në Hagë.

“Sot po bëhet një vit pa luftëtarin tonë Haradin Bala. Ju garantoj se ne do ta kemi nën përkujdesjen jo vetëm të familjeve të dëshmorëve, por edhe veteranëve e të zhdukurve etj. Haradin Bala e ka përcaktuar fatin e tij. E ka dëshmu sakrificën e tij në mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, por edhe në Tribunalin e Hagës”, u shpreh ai.

Lladrovci premtoi se shumë shpejtë Drenasi do bëhet me shtatoret e 3 burrave të Jasharajve.

“Shtatorëve të Jasharajve pritet t’i bashkohen edhe shtatoret e Ilaz Kodrës, Rasim Kiqinës dhe Bedri Shalës. Unë si kryetar komune po punojë që këto vlera të Haradinit t’i çojmë përpara. Pas shtatores së Gjevës e Fehmiut ne i kemi vendosë shtatoret  e dëshmorëve Ilaz Kodra, Rasim Kiqina, dhe Bedri Shala. Po punojmë që në Drenas t’i vendosim shtatoret e Adem, Shaban e Hamez Jasharit”, tha ai.

Selman Bala, djali i Haradin Balës, i cili me shumë emocion përkujtoi babain e tij tha se ai nuk ishte vetëm baba për të, por edhe një mik i ngushtë i tij.

“Sot po bëhet një vit që babai nuk është në mesin tonë. Vdekja e parakohshme e mori nga ne. Nuk ishte vetëm baba, por edhe një mik e këshilltarë i mirë. Sot po bëhet një vit pa ty babë, por ti sot nuk po i mungon vetëm familjes, por t’i po i mungon të gjithëve”, tha ai.

Prej shoqatave të dala nga lufta aty foli Xhavit Dauti, tha se Bala përkujton sakrificën e dëshmorëve dhe mundin e tyre për liri.

“Jemi tubuar këtu sot për ta kujtuar Haradin Balën. Sa herë që e përkujtojmë atë ne kujtojmë historinë tonë të ndritur ngase lufta gjaku e mundi i dëshmorëve të kombit u bënë gurthemel i Republikës së Kosovës”, tha Dauti.

Në fund artisti Dibran Fylli, përmes një interpretimi e solli edhe njëherë të “gjallë” veteranin e ndjerë, Haradin Balën.

Të ngjashme