Përmasa tronditëse të dëmtimeve të lumenjve të Kosovës nga operatorët ilegalë

Prishtinë | 26 Sht 2022 | 09:43 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarë të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), kohë më parë kanë deklaruar se janë të evidentuar rreth 60 e ca operatorë ilegalë, persona që jashtëligjshëm vazhdojnë të shfrytëzojnë resurset e vendit, më së shumti të rërës dhe të zhavorit nga lumenjtë tanë të shumtë. Ky numër i keqpërdoruesve, ç’është e vërteta lëvizë, ndryshon duke u bërë edhe më i madh, e në raste edhe reduktohet paksa.

Mirëpo, ata vazhdojnë ta sfidojnë shtetin në gjithë këto vite, që nga paslufta, duke shfrytëzuar resurset e lumenjve të Kosovës, rërën dhe zhavorin dhe duke ç’ekuilibruar ndjeshëm rrjedhat normale dhe të natyrshme të lumenjve tanë duke degraduar agresivisht shtretërit e këtyre lumenjve dhe duke rrezikuar dhe kërcënuar ambientin dhe natyrën përgjatë këtyre lumenjve.

Ndër këta operatorë ilegalë, sipas zyrtarëve të KPMM-së, ka edhe shumë recidivistë, sish që edhe nga disa herë janë të evidentuar nga organet komeptente të shtetit si shfrytëzues ilegalë të zhavorit në lumenjtë e Kosovës, dhe më së shumti në lumenjtë që përshkojnë Dukagjinin, dhe ku për nga dëmi i shkaktuar dhe degradimi në përmasa tronditëse veçohet Drini i Bardhë.

Sipas Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), më i shkatërruari nga nxjerrja e zhavorrit, rezulton të jetë lumi më i gjatë në Kosovë, Drini i Bardhë, i cili në afërsi të fshatit Krushë, është fare i dëmtuar, i degraduar skajshmërisht dhe me imazh llahtar për opinionin.

Operatorët ilegalë dhe shumë prej tyre recidivistë, tashmë 23 e sa vjet operojnë ilegalisht dhe vazhdojnë veprimtarinë pavarësisht se inspektorët e KPMM-së i kanë zënë duke operuar dhe duke shfrytëzuar jashtëligjshëm resurset e lumenjve tanë, i kanë dënuar dhe lëndët e tyre i kanë dërguar në gjykatat kompetente. Por, kjo veprimtari, sot e kësaj dite nuk është ndërprerë nga ta.

Për çdo vjet, herë më shumë e herë më pak numerikisht, qe dy dekada, ata vazhdojnë të degradojnë në përmasa “të pamata” lumenjtë tanë, për t’i sjellë në gjendjen që duhen miliona euro investime për sanimin e degradimit të tyre.

Në raportin “Ndikimi i Shfrytëzuesve të Rërës dhe Zhavorrit në Gjendjen Mjedisore të Lumenjve”, i publikuar në muajin gusht të këtij viti, nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, konstatohet se shumica e lumenjve të Kosovës janë shkatërruar në atë masë, saqë riparimi i dëmeve është i pamundur.

“Shfrytëzimi i inerteve të lumenjve i ka kaluar të gjitha limitet e mundësisë natyrore që lumenjtë të kthehen në gjendjen e mëparshme”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave të KPMM-së, vetëm gjatë vitit 2019, në Kosovë janë evidentuar 194 operatorë ilegalë-shfrytëzues të resurseve të lumenjve tanë, kryesisht të zhavorit dhe rërës së tyre.

Në institucionet kompetente për parandalimin e veprimtarisë së operatorëve ilegalë, theksojnë se një pjesë të mirë të fajit për numrin kaq të madh të tyre, e kanë edhe gjykatat kompetente, të cilat fare lehtë i heshtin, ose i amnistojnë veprat e rënda të tyre.

Sipas zyrtarëve, në të shumtën e rasteve, raportet e inspektorëve të KPMM-së kundër këtyre operatorëve të jashtëligjshëm, kanë qenë shumë të argumentuara dhe vështirë të kontestueshme. Megjithëkëtë, në shumë e shumë raste, ata janë amnistuar nga organet e drejtësisë dhe fill pas këtyre proceseve gjyqësore “të fituara”, kanë vazhduar veprimtarinë ilegale të ushtruar me vite të tëra më parë.

Nga Policia e Kosovës kanë thënë për medie se Njësiti për Hetimin e Krimeve Mjedisore, nga muaji janar e deri në fund të muajit gusht të këtij viti, ka iniciuar 54 raste të veprimeve të jashtëligjshme të ndotjes, degradimit apo shkatërrimit të mjedisit, përfshirë edhe rastet kur individë apo kompani janë zënë duke nxjerrë zhavorr nga shtretërit e lumenjve.

Gjatë vitit 2021, ky njësit ka iniciuar 15 raste, ndërsa më 2020 gjithsej 32 raste të shkeljeve ligjore, që përfshijnë ndotjen, degradimin apo shkatërrimin e mjedisit. Në raste shumë të rralla, ose në fare pak raste, ka ndodhur që me t’u zënë nga inspektorët e KPMM-së, ndonjë operator që iu ka përmbajtur udhëzimeve të inspektorëve, ka paguar obligimet ndaj shtetit dhe ka aplikuar për t’u pajisur me licencën e kërkuar. Por, këto raste, thuajse janë të vetmuara dhe shumë të rralla, ndërkohë që numër absolutisht i madh i operatorëve ilegalë vazhdojnë të operojnë para syve të institucioneve shtetërore, duke degraduar në përmasa shqetësuese lumenjtë e Kosovës.

Të ngjashme