Përparimi i mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut për qytetarët e Kosovës

Prishtinë | 11 Shk 2020 | 12:47 | Nga Ekonomia Online

Një sistem drejtësie më efikas, ushtrimi i të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët dhe garantimi i lirisë së shprehjes dhe medias janë të një rëndësie madhore për qytetarët e Kosovës, ndaj reforma të mëtejshme nevojiten për t’i garantuar ato.

Kjo u nënvizua gjatë takimit të sotëm të Komitetit të Parë Drejtues të Përfituesve të Programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022”.

Krenare Bektashi-Muçolli, Koordinatore e Instrumentit Horizontal në Ministrinë e Integrimit Evropian, mirëpriti vazhdimësinë e programit në Kosovë i cili kontribuon në qëndrueshmërinë e projekteve dhe ndërtohet duke u bazuar në suksesin e fazës së parë. Krenare Bektashi-Muçolli theksoi rëndësinë e Programit në mbështetjen e reformave në

Kosovë, duke vendosur theksin tek bashkëpunimi dhe koordinimi rajonal i Programit.

Julia Jacoby, Drejtuese e Ekipit, Seksioni i Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian, gjatë fjalës së saj u fokusua tek qëndrueshmëria dhe pronësia e përfituesve të programit Instrumenti Horizontal II.

“Pronësia e përfituesve të programit është çelësi për suksesin e Instrumentit Horizontal dhe inkurajoj të gjithë përfituesit tanë të jenë aktiv dhe të mundësojnë reagime dhe vlerësime të rëndësishme, me qëllim që të mund t’i përshtasim ndërhyrjet tona, bazuar në nevojat tuaja” u shpreh Julia Jacoby.

Katerina Markovova, Koordinatore e Instrumentit Horizontal, Zyra e Drejtorisë së Përgjithshme të Programeve në Këshillin e Evropës, theksoi se qytetarët mbeten në zemër të iniciativave që zbatohen në kuadër të programit dhe janë përgatitur enkas për të kontribuar në garantimin e mbrojtjes së të drejtave themeore të njeriut si dhe të drejtën për t’u informuar, bazuar në metodologjitë dhe praktikat më të mira të Këshillit të Evropës.

Takimi mblodhi në Prishtinë partnerë kyç dhe vendim-marrës për të diskutuar dhe dakortësuar mbi kursin e veprimeve që do të zbatohen në Kosovë në vitet në vazhdim. Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës do të vazhdojnë të punojnë ngushtësisht me autoritetet dhe shoqërinë civile në Kosovë, për t’i mbështetur dhe asistuar ato në përmbushjen e standardeve të Evropiane dhe të kontribuojë në rrugëtimin evropian të Kosovës.

Faza e dytë e programit të Instrumentit Horizontal, që zbatohet nga 2019 deri në 2022 me një vlerë 41 milionë Euro, ndërtohet duke u bazuar në rezultatet e fazës së parë dhe do të vazhdojë të zhvillojë iniciativa të rëndësishme në të gjithë përfituesit e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, Bosnjë Herzegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë si dhe Turqinë.

Në Kosovë, 1,7 milionë Euro janë ndarë në 3 projekte, duke përfshirë fushat kyçe të Instrumentit Horizontal, si forcimi i cilësisë dhe efikasitetit të drejtësisë, promovimin e diversitetit dhe barazisë si dhe përparimin në lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias./EO

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme