Personat e verbër ankohen për procedurat e vlerësimit ndaj tyre, kërkojnë ndryshimin e ligjit

Prishtinë | 17 Sht 2021 | 10:48 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione të premten është takuar me Përfaqësues nga Iniciativa e Pavarur e të Verbërve të Kosovës për të diskutuar mbi gjendjen dhe situatën e kësaj kategorie, raporton Ekonomia Online.

Halil Kurmehaj, përfaqësues i kësaj iniciative tha se problemet e tyre janë nga më të ndryshmet, duke nisur nga ekzaminimet që kryhen vetëm në Prishtinë.

“Është mirë që na keni pranuar dhe të flasim për problemet tona. Iniciativa e Pavarur e të Verbërve të Kosovës kemi identifikuar shumë probleme, duke përfshirë këtu grupe dhe komunitete të ndryshme të të verbërve”

“Një nga problemet tona është mbi ekzaminimet që bëhen vetëm për Prishtinë, ju keni mundur të shihni që bëhet tollovi e madhe dhe një i verbër që përveç që duhet shumë me prit por në anën tjetër duhet edhe personi që e shoqëron me prit shumë”, tha ai.

Tutje ai tha se kërkesa tjetër e tyre është deputetët duhet të bëjnë vizita në të gjitha regjionet dhe të shohin problemet e tyre dhe t’u mundësohen lehtësira.

“Ne kërkojmë që ky komision duhet me lëviz në të gjitha regjionet, dhe në mënyrë që të ketë lehtësira në këtë proces”, theksoi tutje ai, raporton EO.

Betim Bregovina, nga kjo Iniciativë gjatë këtij komunikimi të përbashkët tha se procedurat e vlerësimit të personave të verbër janë shumë është rigoroze dhe formale.

“Si procedurë për vlerësimin, nuk është se vlerësohen dhe shumë. Kur flasim për disa diagnoza është e pamundshme me u  vlerësuar dhe shpeshherë kur vlerësohen nuk janë rigoroze, por edhe shumë formale. Nëse do ishte e mundur edhe të ketë ndryshim të ligjit”, deklaroi ai.

Deputetja e VV-së, Saranda Bogujevci tha se pajtohet që ligji duhet të ndryshohet po ashtu edhe udhëzimet administrative.

“Pajtohem që duhet me u pa ligji dhe në të njëjtën kohë të shihen edhe udhëzimet administrative, mënyra e vlerësimit dhe rivlerësimit”.

Të ngjashme