Personat që mund të kërkojnë punë në Gjermani, sipas Ambasadës Gjermane

Prishtinë | 14 Jan 2020 | 11:02 | Nga Ekonomia Online

Ligji i ri i miratuar në Gjermani rreth imigrimit të fuqisë punëtore të kualifikuar, që do të hyjë në fuqi në mars të këtij viti, ka ringjallur shpresë për shtetasit nga Kosova, të cilët synojnë punësimin në këtë shtet të BE-së. Ky ligj ua mundëson punonjësve të kualifikuar në arsim profesional nga shtete jashtë Bashkimit Evropian (shtete të treta) të emigrojnë lehtësisht në drejtim të Gjermanisë

Zyra për informim e Ambasadës Gjermane në një përgjigje të dhënë për “Zërin” ka njoftuar se tashmë i ka bërë të ditura kushtet dhe specifikat që duhet t’i plotësojnë qytetarët kosovarë, të cilët synojnë të punësohen në këtë shtet pas marsit të këtij viti.

Sipas kësaj Ambasade, Ligji rreth Imigrimit të Fuqisë Punëtore të Kualifikuar, që pritet të hyjë në fuqi në mars, ua mundëson punonjësve të kualifikuar në arsim profesional nga shtete jashtë Bashkimit Evropian (shtete të treta) të emigrojnë më lehtë në të ardhmen në drejtim të Gjermanisë. Edhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji përcaktimet ligjore ekzistuese për punonjës të kualifikuar me diplomë të shkollës së lartë/universitare do vazhdojnë të mbeten të vlefshme.

Sipas Ambasadës Gjermane në Prishtinë, për hyrjen në Gjermani me qëllim nisjen e një marrëdhënieje punësimi ose kërkimin e një vendi pune do të vazhdojë të jetë e nevojshme pajisja me vizë, për të cilën qytetarët duhet të aplikojnë pranë Ambasadës Gjermane.

Fuqi punëtore e kualifikuar sipas ligjit të ri konsiderohen individët e diplomuar në universitete, si dhe personat me një kualifikim profesional, që njihet në Gjermani. “Si fuqi punëtore e kualifikuar konsiderohen të diplomuarit në universitete, si dhe personat me një kualifikim në arsimin profesional, që njihet në Gjermani. Punësimi është i mundur vetëm në atë profesion për të cilin keni marrë më parë kualifikimin përkatës. Një diplomë profesionale konsiderohet zakonisht si e kualifikuar dhe njihet nëse në Gjermani ajo do të merrej pas një periudhe dy-trevjeçare të arsimit profesional”, thuhet më tej në sqarimin e Ambasadës.

Kurse për punëkërkuesit me kualifikim të pamjaftueshëm ose për kualifikim profesional që nuk njihet në Gjermani vlejnë edhe më tej rregullat e deritanishme. Më tutje Ambasada sqaron se fillimisht duhet të njihet kualifikimi dhe më pastaj të parashtrohet kërkesa për vizë. “Punëkërkuesit e kualifikuar duhet të fillojnë këtë procedurë me kohë dhe këtë mund ta bëjnë edhe para hyrjes në fuqi të rregullave të reja, në mars të vitit 2020.

“Sapo të merrni njoftimin zyrtar për njohjen e kualifikimit dhe keni një ofertë konkrete për një vend pune në Gjermani mund të aplikoni si fuqi punëtore e kualifikuar për vizë, në mënyrë që të vini në Gjermani dhe të ushtroni veprimtarinë profesionale për të cilën jeni kualifikuar”, thuhet më tutje aty.

Terminët në Ambasadë mund të caktohen vetëm në qoftë se individi posedon njohjen e diplomës mbi kualifikimin profesional, gjegjësisht të diplomës universitare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme