Personat tetraplegjikë dhe paraplegjikë bëhen me pensione

Prishtinë | 18 Pri 2017 | 13:29 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Që nga e hëna e ardhshme personat tetraplegjikë dhe paraplegjikë do të kenë mundësi që të aplikojnë për pensionet e tyre.

Kjo gjë është bërë e ditur sot ne vizitën që kryeministri Isa Mustafa dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi i kanë bërë HandiKos-it, raporton Ekonomia Online.

Afrim Maliqi drejtor i HandiKos ka thënë se i është mirënjohës kryeministrit Mustafa dhe ministrit Abrashi për bashkëpunimin.

Sipas tij kryeministri Isa Mustafa u kishte premtuar që do ta bënte një gjë të tillë.

“Ne u jemi shumë mirënjohës juve, ministrit Abrashi dhe të gjithë Qeverisë për bashkëpunimin tonë që kemi pasur deri tash edhe që ju e keni marrë me seriozitet dhe prioritet çështjen e aftësisë së kufizuar në veçanti grupin e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë i cili me një fjalë mund të them lirisht se llogaritet grupi më i rrezikuar në mesin e personave me aftësi të kufizuar. Kjo punë me të vërtetë është e arritur shumë e madhe që do të ju ndihmojë jo vetëm personave por edhe familjeve të tyre do ta ngris mirëqenien çka edhe pikërisht e kërkon realiteti jonë edhe Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Kurse Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi ka thënë se sot është një ditë e madhe për të gjithë shoqërinë e Kosovës.

“Institucionet e Kosovës marrin një bazë më të madhe të përkujdesjes për këtë kategori dhe kjo para së gjithash tregon një nivel më të lartë të vetëdijes dhe të zhvillimit të shoqërisë sonë. Nga e hëna institucionet e Kosovës përkatësisht Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale pret aplikacione nga personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë që të aplikojnë për pensionin e merituar që një kohë të gjatë “, ka thënë ai.

Ndërsa kryeministri i vendit, Isa Mustafa ka thënë se janë munduar që gjithmonë të gjejnë zgjidhje për këta persona.

“Me zbatimin e këtij ligji ju do ti realizoni të drejtat e juaja që ju kanë takuar edhe më parë dhe më vjen mirë dhe ndihem i gëzuar dhe krenar që po arrijmë që qytetarëve tonë të iu sigurojmë të drejtat që ata i meritojnë dhe që duhet t’i kenë. Do të bëjmë përpjekje maksimale që t’i trajtojmë në mënyrën më të mirë dhe sa më shpejtë kërkesat e juaja që nga e hëna, të filloni sa më shpejtë t’i gëzoni pensionet dhe këtë të drejtë ta realizojmë por gjithsesi duke pasur parasysh që ne do të mundohemi që edhe në fusha të tjera të iu ndihmojmë dhe të ju përkrahim. Ju siguroj se me prioritet do të trajtoheni sepse e meritoni ju, e meritojnë edhe personat tjerë me aftësi të kufizuara. Ne i respektojmë këto aftësi dhe dëshirojmë që të hapim mundësi edhe të angazhimit ekonomik dhe social sepse si qytetarë mund të kontribuoni në të gjitha fushat e tjera”, ka thënë kryeministri Mustafa.

 

Lexo më shumë:

Të ngjashme