Perspektiva e sigurtë e rinisë në shtetin e ri – Kosova 9 vjet e pavarur

Prishtinë | 17 Shk 2017 | 09:36 | Nga

Që nga shpallja e pavarësisë me 17 shkurt 2008 e deri më tani, Kosova është njohur nga 113 vende të botës dhe është anëtarësuar në shumë organizata ndërkombëtare, por jo në OKB.

Më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia me një mbështetje të gjerë ndërkombëtare. Nëntë vjet pas saj, Kosova është njohur si shtet i pavarur nga 113 vende të botës, por, vazhdon të mos njihet nga Serbia fqinjë, ndonëse, tash e disa vite zhvillojnë dialog për normalizimin e marrëdhënieve. Autoritetet e Serbisë e përsërisin vazhdimisht se “kurrë nuk do ta njohin Kosovën si shtet”.
Republika e Kosovës me një popullsi prej 1.8 milion banorëve, llogaritet si vendi më i varfër në rajon dhe sipas Entit të Statistikave të Kosovës, mbi 60% e qytetarëve janë të moshës së re. Papunësia në Kosovë është afro 40% dhe kjo shifër e lartë vetëm sa e humb shpresën më shumë tek të rinjtë. Besfort Ahmeti është një i ri nga Prishtina, i sapodiplomuar në informatikë, por, që sipas tij “e ka të pamundur të gjejë punë në Kosovë”. “Në secilin konkurs publik, thuhet se kërkohen të paktën tre vjet përvojë pune. Nëse bazohen në këtë, unë kurr nuk do të kem mundësi që të bëjë përvojë pune dhe ta plotësojë kushtin për një vend pune, për çka jam i diplomuar. Në disa vende kam aplikuar për punë, por, asgjë”, shprehet i riu Ahmeti.

Sipas të dhënave të ministrisë së Arsimit brenda vitit në Kosovë dalin nga universitetet publike dhe private të pakën 25 mijë të rinj të diplomuar. Shumë nga ata në mungesë të perspektives në Kosovë, si synim kanë vendet e Evropës perëndimore.

Edhe i riu Besfort Ahmeti, i cili e flet rrjedhshëm gjuhën gjermane, tashmë ka nisur hulumtimin online për ndonjë vend pune në Gjermani. “Shtetin tim Kosovën e dua, por, tash për tash nuk po shoh perspektivë për të rinjtë. Kam parë shumë njoftime në medie se Gjermania kërkon inxhinierë, sidomos kërkesa më e madhe është për programues. Ndoshta, ndoshta kam fat, marr ndonjë përgjigje pozitive. Po e shoh që në Kosovë nuk ka gjë, tek e fundit, Gjermania nuk është shumë larg Kosovës”, shprehet me një buzëqeshje të lehtë Besforti.

Korrupsioni i lartë

Shumë organizata të shoqërisë civile vendore por edhe ndërkombëtare në studimet e tyre flasin për një shkallë të lartë të korrupsionit në Kosovë. Raporti i fundit i janarit 2017 nga organizata Transparency International, i cili mbështetet në perceptimet e qytetarëve për korrupsionin, e renditë Kosovën në një shkallë të lartë të korrupsionit, krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

Në këtë raport Kosova është radhitur në vendin e 103-të, përderisa, shtetet tjera të rajonit renditeshin nga numri 61 deri në të 88-tin. Nëntë vjetori i pavarësisë së Kosovës e gjenë skenën politike kosovare të përçarë si kurrë më parë, kryesisht për shkak të dialogut me Serbinë dhe shënimit të vijës kufitare Kosovë-Mali i Zi. Një seancë solemne për shënimin e nëntë vjetorit të pavarësisë u mbajt në Kuvendin e Kosovës, me pjesëmarrjen edhe të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i cili ishte i vetmi udhëheqës politik rajonal që ishte i ftuar në seancën solemne.

Seanca ndonëse solemne, gjatë fjalimit të Presidentit Hashim Thaҁi, u bojkotua nga partitë opozitare lëvizja Vetëvendosja dhe Nisma për Kosovën, ndërsa, përfaqësuesit e komunitetit serb “Srpska”, ka muaj që kanë ngrirë marrëdhëniet me institucionet e Kosovës. “Srpska”, kërkon themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Janë pikërisht shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi dhe krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe, që përplasi pozitën dhe opozitën në parlament, rezistëncë kjo e opozitës që edhe në rrugë u manifestua me protesta dhe dhunë.

Megjithë këtë Presidenti i Kosovës Hashim Thaҁi, i cili për dy mandate ishte kryeministër, shtetin e Kosovës e cilëson histori suksesi. “17 shkurti i vitit 2008, është një ditë e shenjtë, një ditë kur janë kurorëzuar sakrifica dhe ëndrra që edhe qytetarët e Kosovës të jetojnë të lirë, të barabartë me të tjerët, në shtetin e tyre”.

“Sot, mendimi i parë, është për të gjithë ata që dhanë çdo gjë që patën që ne të gëzojmë këtë ditë. Sot jemi më afër se çdo ditë tjetër me heronjtë tanë, me dëshmorët tanë, me familjet e dëshmorëve, me familjet e të pagjeturve. Prandaj 17 shkurti është ditë e shenjtë për Kosovën. Është vetë historia e Kosovës. Është dita e Republikës”, tha presidenti Hashim Thaçi.

Njohjet e Kosovës

Kosova që nga shpallja e pavarësisë me 17 shkurt 2008 e deri tash është njohur nga 113 vende të botës dhe është anëtarësuar në shumë mekanizma dhe organizata ndërkombëtare, sic janë banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, UEFA dhe FIFA, ndërsa, së fundi mori edhe kodin telefonik të saj, 383, në marrëveshje me Serbinë edhe pse nuk është anëtarësuar në Organizatën Ndërkombëtare të Telekomunikacionit ITU.

Kosova e Serbia tash e gati pesë vjet zhvillojnë dialog me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve. Kjo marrëveshje u nënshkrua me 19 prill të vitit 2013 dhe që nga ajo kohë janë nënshkruar një sërë marrëveshjes tjera teknike. Njëra ndër marrëveshjet e rëndësishme është menaxhimi i integruar i kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila filloi së zbatuari me 16 shkurt 2017, një ditë para festimit të nëntë vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Gurë-themeli i pikës së përbashkët kufitare u vendosë në Mendare, pikëkalim ky më i frekuentuari ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, thotë se “ndonëse dialogu nuk ishte gjithmonë i lehtë, rezultatet e arritura dëshmojnë se vetëm përmes dialogut zgjidhen të gjitha problemet me shtetet fqinjë”.

“Unë e vlerësoj lart vënien e gurë-themelit të vendkalimit kufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Vlerësoj se ky është një rezultat i drejtpërdrejt i dialogut që ne kemi zhvilluar për një afat të gjatë, që nuk ka qenë i lehtë, por po jep rezultate shumë të mira, dhe është një dëshmi që ne duhet të vazhdojmë që përmes dialogut të zgjidhim të gjitha problemet tona me fqinj”, shprehet kryeministri Isa Mustafa.

Rreziku islamist

Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, parasheh ndërtimin edhe të pesë pikëkalimeve tjera kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë. Shteti i ri i Kosovës nga shumë organizata ndërkombëtare përshkruhet edhe si një vend që ka prodhuar shumë të rinj që i janë bashkuar organizatave terroriste, në luftërat në Lindje të Mesme. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, brenda tri viteve të shkuara rreth 300 të rinj kosovar kanë marrë pjesë dhe po marrin pjesë në luftërat në Lindje të Mesme përkrah organizatave IS dhe Al-nusra. E ndodhur përball kësaj situate, Kosova tash e dy vjet i është bashkuar aleancës globale kundër terrorizmit të udhëhequr nga SHBA-së.

Në nëntë vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Presidenca e Kosovës ka marrë urime nga shumë presidentë të vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Me i veçanti dhe të cilin e publikoi Presidenti Hashim Thaçi, ishte urimi nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump. Kosova, SHBA-së i cilëson aleat të përjetshëm.

Trump uron Kosovën

“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam kënaqësinë të uroj popullin e Kosovës për Ditën e Pavarësisë suaj më 17 shkurt. Partneriteti mes dy shteteve tona mbështetet në vlerat dhe interesat e përbashkëta. E ardhmja e Kosovës sovrane, multietnike dhe demokratike bazohet në rajonin e Ballkanit stabil, të begatë dhe plotësisht të integruar në bashkësinë ndërkombëtare”, thuhet ndër të tjera në urimin për nëntë vjetorin e pavarësisë së Kosovës të Presidentit amerikan Donald Trump.

Kosova vitin e shkuar ka nënshkruar me Bashkimin Evropian Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) dhe i është nënshtruar një sërë reformash dhe kriteresh të kërkuara nga BE-ja. Mirëpo, megjithëkëtë, Kosova mbetet i vetmi vend në Evropë që nuk e gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë par viza në zonën Shengen. Obelisku “Newborn”, që gjendet në qendër të Prishtinës dhe që simbolizon krijimin e shtetit të ri, në nëntë vjetorin e pavarësisë së Kosovës është pikturuar me mure të shembura, duke përcjellë mesazhin ” një botë pa mure”.(DW)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme