Përurimi i urës së Ibrit, peng i bisedimeve Kosovë-Serbi

Prishtinë | 08 Qer 2017 | 10:16 | Nga

Revitalizimi i urës së Ibrit i ka filluar punimet dy vite më parë, në bazë të marrëveshjes për lirinë e lëvizjes për tu finalizuar në fillim të këtij viti. Mirëpo, një gjë e tillë nuk ka ndodhur për shkak të zhvillimeve që ndodhën gjatë muajit janar për murin, në pjesën veriore të Mitrovicës.

Edhe pse thuhet se procesi është në përfundim e sipër, nga zyrtar të Bashkimit Evropian nuk kanë dhënë një datë të saktë për përurimin e revitalizimit të urës mbi lumin Ibër.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes së diplomacisë evropiane, Federica Mogherini në një prononcim për Telegrafin ka thënë se janë duke vazhduar diskutimet me të dyja palët Kosovë-Serbi, për të gjetur zgjidhje të pranueshme për të gjitha çështjet në lidhje me punimet në urën e Ibrit në Mitrovicë.

Sipas saj, ende nuk është vendosur për një datë të saktë se kur do të bëhet përurimi i urës së Ibrit.

“Ne po vazhdojmë diskutimet me të dyja palët për të gjetur zgjidhje të pranueshme për të gjitha çështjet në lidhje me punimet në Urë të Mitrovicës dhe në rrugën e mbretit Petar, duke përfshirë një datë të re për rihapjen”, ka thënë Kocijancic për Telegrafin.

Ndërkaq, edhe ministrja për dialog Edita Tahiri një ditë më parë tha për Telegrafin se procesi i revitalizimit të Urës së Ibrit dhe hapja e saj tashmë është në përfundim e sipër, mirëpo ende nuk ka një datë të saktë.

Të ngjashme