Përurohet Qendra e Mjekësisë Familjare në Neredime

Prishtinë | 05 Dhj 2019 | 13:59 | Nga Ekonomia Online

Banorët e fshatrave të zonës së Jezercit tani e tutje, do t’i kenë më afër shërbimet mjekësore. Kjo falë Qendrës së re të Mjekësisë Familjare, e cila sot solemnisht u inaugurua me ç’rast edhe njëherë u tha se i kontribuon konceptit sa më afër qytetarëve që është edhe bazë e mjekësisë familjare.

Në përurimin e kësaj qendre mori pjesë Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i shoqëruar nga drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Bekim Ademi, drejtorja e Qendrës kryesore të Mjekësisë Familjare Nadire Imeri, si dhe zyrtarë të tjerë.

Me këtë rast drejtues të shëndetësisë ferizajase, të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, mjekë e qytetarë kanë folur për këtë projekt si i domosdoshëm për banorët e kësaj ane.

Haki Kashtanjeva, nga Neredimja, është një ndër të shumtit që do të kërkoj shërbime në këtë qendër. Ai thotë se tashmë e kanë më të lehtë qasjen në shërbimet mjekësore, duke falënderuar përkushtimin e institucioneve dhe të Kryetarit të Komunës, Agim Aliu, për orientimin e drejtë të këtij projekti. Por, ai ka pasur edhe një kërkese që kjo qendër t’i plotësoj me shërbime të gjitha nevojat e qytetarëve të kësaj ane.

Në anën tjetër drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Bekim Ademi, ka thënë se kjo do të jetë një qendër funksionale nga fakti se po synohet që përpos mjekut dhe infermierëve në kuadër të kësaj qendre të jenë edhe njësitë tjera, si stomatologjia, laboratori e barnatorja.

“Qytetarët e kësaj ane tani e tutje nuk do të kenë nevojë që për një shërbim të marrin rrugën e Ferizajt. Të gjitha shërbimet do t’i kenë këtu, kështu që kjo do të jetë një lehtësim edhe për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare”, ka shtuar Ademi.

Veç tjerash ka potencuar se nuk do të ketë problem me personel ngase po punohet në plotësimin e tij.
Edhe drejtoresha e QKMF-së, Nadire Ymeri, ka thënë se në Nerodime ka punuar një AMF, por tash , me këtë qendër po avancojnë shërbimet, të cilat po mendohet se do të jenë edhe më cilësore.

“Falë marrëveshjes së komunës me Caritas-in po plotësohen nevojat me personel gjë që ka bërë që kjo qendër të jetë funksionale me të gjitha njësitë e parapara” ka thënë drejtoresha Nadire Ymeri.

Në këtë rrafsh drejtues të QKMF-së nuk kanë përmendur ndonjë problem që lidhet me funksionalitetin e QMF-ve në përgjithësi

Ndryshe, edhe Dr. Xhevdet Haxhidema, ka folur për nevojën që ka pasur kjo zonë për këtë qendër , duke thënë se shërbimet do të jenë bazike, ndërsa ka përmendur shërbimet laboratorike që do të ofrohen për herë të parë .
“Nuk do të kemi probleme të natyrës organizative, mjeku do të punoj çdo ditë dhe po besojmë se nuk do të kemi probleme” ka thënë Dr.Haxhidema.
Ngritja e kësaj Qendre ka kushtuar hiq më pak se 130 mijë euro, fonde këto që janë siguruara nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Komuna e Ferizajt. Në këtë qendër shërbime do të marrin banorët e fshatrave Manastirc, Balaj, dy Nerodimeve dhe fshatit Jezerc.
Ky projekt është bashkëpunim i Komunës së Ferizajt me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe ka kushtuar 130 mijë euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme