Peticion nivelit qendror dhe ambasadave kundër hidrocentraleve në Lepenc

Prishtinë | 08 Qer 2019 | 09:09 | Nga Ekonomia Online

Banorët e Shtërpcës pas disa protestave për ta kundërshtuar ndërtimin e hidrocentraleve, të premten, ua kanë dorëzuar një peticion me rreth 1.800 nënshkrime Zyrës së kryeministrit, Kuvendit të Kosovës, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ambasadës Amerikane dhe asaj austriake.

Nëpërmjet peticionit këto institucione janë njoftuar se qytetarët e Komunës së Shtërpcës janë revoltuar me veprimet që janë marrë për ndërtimin e hidrocentraleve në lumin Lepenc, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Revolta është se uji i lumit po vendoset nëpër gypa dhe duke u mbuluar me zhavorr, andaj ky veprim është klasik, i cili do të ndikojë shumë keq në fusha ekonomike. Nëse “varroset” lumi, uji i Lepencit do të ndikojë negativisht duke i shkatërruar florën dhe faunën, posaçërisht turizmin, i cili është faktori kryesor dhe jetësor ekonomik në këtë anë”, thuhet në peticionin e banorëve.

Sipas këtij peticioni qindra hektarë të tokës bujqësore nuk do të kenë mundësi të ujiten, por as të mblidhen, megjithëse është faktori kryesor për ekzistencën e qytetarëve të kësaj komune. Po ashtu është bërë me dije se as blegtoria nuk ka burime të ujit për pije nëse lumi Lepenc futet nëpër gypa siç kanë filluar punimet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme