Peticioni i gastronomëve po nënshkruhet masovikisht, s’përjashtohen protestat nëse nuk zgjatet orari

Prishtinë | 08 Sht 2020 | 08:05 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Peticioni i iniciuar nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës po nënshkruhet masovikisht nga qytetarët në të gjitha komuna e vendit.

Veton Zuka nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, në një intervistë për Ekonomia Online ka sqaruar se i kanë bërë presion Qeverisë që ta ndryshojë orarin e operimit të tyre, duke shpresuar që ekzekutivi të marrë parasysh kërkesat e tyre.

Sipas tij, nëse Qeveria nuk ndërmerr diçka në këtë drejtim, atëherë peticioni do të shkojë direkt në Kuvend.

Madje si formë të arritjes së qëllimit ai nuk i përjashton edhe protestat, raporton EO.

“Ne jemi duke bërë presion non-stop në këtë drejtim sepse e dimë krejt dhe tashmë është vërtetuar që ka qenë dhe është një vendim i gabuar dhe nuk ka pasur kurrfarë efekti përpos negativ në anën ekonomike të bizneseve dhe që i ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë. Përndryshe logjikisht duhet të lirohen sepse veç është i gabuar si vendim”.

“Po presim gjatë javës nëse nuk gaboj të mërkurën është mbledhja e Qeverisë. Po shpresojmë se do t’i marrin parasysh këto kërkesa tona përndryshe ne jemi në përgatitje pasi që e kemi bërë edhe një peticion. Janë duke shkuar nënshkrimet edhe prej klientëve dhe prej pronarëve. Nëse nuk merret diçka nga Qeveria atëherë peticionet do të shkojnë direkt në Kuvend në mënyrë që ligjërisht të ndryshohet, ose e fundit mbetet protesta”.

Mes tjerash, Zuka theksoi se peticioni është duke u nënshkruar në të gjitha komunat e vendit në mënyrë masive nga qytetarët.

Sipas Zukës, orari aktual i punës deri në oreën 22:30 është duke dëmtuar pronarët e restoranteve dhe lokaleve.

“Sipas raportimeve në teren që janë nëpër lokale si kemi marrë definitivisht krejt nënshkrimet se janë duke punuar edhe në nivel të Kosovës, dhe poashtu nga palët e qyteteve të tjera. Atëherë jemi duke i pritur numrat përndryshe informacionet që po na vijnë nga tereni janë nënshkrime masovikisht sepse po duket që njerëzit janë lodhur nga ky orar. Ky  orar sa është i pakuptimtë është edhe i dëmshëm në atë kuptimin e zinxhirit të përgjithshëm”.

“Sidomos restorantet kanë rënie drastike dhe lokalet sepse nuk lidhet orari qysh duhet me u lidh në atë kohën e daljes që e bëjnë plan qytetarët.  Atëherë deri në dhjetë e gjysmë nuk ka vullnet as me dal  dhe as me shpenzuar. Ajo na ka dëmtuar shumë në kuptim të orarit. Kështu që nëse bëhet deri në ora dymbëdhjetë atëherë është njëfarë normalizimi”, u shpreh ai.

Ai potencoi se ka biznese që kanë falimentuar, por edhe të tjera që janë në gjendje shumë të keqe financiare, raporton EO.

“Gjendja e bizneseve është jashtëzakonisht keq dhe ka biznese që janë duke falimentuar dhe ne në hulumtim të numrit të saktë të bizneseve që kanë falimentuar dhe janë në prag të falimentimit janë në borxhe të mëdha sepse me këtë orar janë realisht në humbje. Kështu që kërkesa e bizneseve ndaj qeverisë sidomos ana financiare është e domosdoshme”.

“Tashmë peticionet janë në shumicën e lokaleve, mirëpo jo në krejt sepse nuk kemi staf të mjaftueshëm. Do të vazhdojmë me protesta demokratike. Herën e parë ka qenë simbolike, por masovike me njerëz. Por kjo mundet me qenë edhe më masovike se që ka qenë sepse njerëzit janë të frustruar bizneset në gjendje të keqe kështu që nuk kanë alternativë tjetër përpos protestës”.

Të ngjashme