Pezullohet greva për objektin e Ministrisë së Kulturës

Prishtinë | 23 Jan 2020 | 15:32 | Nga Ekonomia Online

Këshilli Organizativ i Protestës në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, ka vendosur që ta pezullojë përkohësisht grevën, e cila ishte shpallur në fund të muajit nëntor të vitit të kaluar.

Me anë të kësaj greve, ishte kundërshtuar vendimi i qeverisë që në objektin e Ministrisë së Kulturës, të vendoset Presidenca.

Drejtues të  Sindikatës së Punëtorëve thanë për  Radio Kosovën se greva do të pezullohet deri në një vendim të ri nga ana e  Ministrisë së Administratës Publike .

Punëtoret e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, përkohësisht do ta ndërpresin grevën. Kjo u bë e ditur pas një takimi të mbajtur nga Këshilli Organizativ i Protestës.

Kryetari i Sindikatës se Punëtorëve në Ministrinë e Kulturës,  Labinot Berisha, tha për Radio Kosovën së ky vendim do të jetë në fuqi deri në një vendim të ri që pritet të jetë i paanshëm nga ana e Ministrisë së Administratës Publike .

 “ Këshilli Organizativ i Protestës ka marrë vendim që greva e përgjithshme, e shpallur në të gjitha hapësirat ku funksionon Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të pezullohet.  Ky vendim është marrë për arsye se Ministria e Administratës  Publike publikisht është deklaruar se nuk do të marrë veprime të një anshme për largimin e punëtorëve nga objekti”, ka thënë Berisha.

Berisha, tha se punëtorët e Ministrisë së Kulturës do të pranojnë të lirojnë objektin vetëm në rast se do të kenë ofertë që vendosja e tyre të bëhet në një objekt publik.  

 “Ne, në as një rrethanë nuk do të pranojmë të zhvendosemi në një objekt privat siç është tani oferta ku qiraja mujore është 45 mijë euro, dhe në as një mënyrë nuk do të pranojmë të shkojmë në objekte private. Po ashtu nuk do të pranojmë të shkojmë në objekte publike ku kushtet nuk janë për funksionim normal”, ka shtuar Berisha.  

Qeveria e Kosovës ka vendosur që ky objekt të lirohet dhe në të, të vendoset presidenca e vendit. Mirëpo, punëtorët e Ministrisë  se Kulturës kanë protestuar disa herë për ta kundërshtuar këtë vendim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme