Pezullohet Ligji për Paga, nga sot vendin e kaplojnë grevat

Prishtinë | 13 Dhj 2019 | 08:08 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dje Ligjin për Paga në Sektorin Publik deri më 30 mars të vitit vijues. Pas këtij vendimi nga sot pritet shëndetësia, arsimi, dogana e policia t’i fillojnë masat sindikale, duke mos përjashtuar as grevat e protestat e paralajmëruara.

Ligji për Paga, i cili hyri në fuqi më 1 dhjetor të këtij viti, është pezulluar dje nga Gjykata Kushtetuese deri më 30 mars të vitit të ardhshëm. Ky vendim i Kushtetueses erdhi pasi ditë më parë institucioni i Avokatit të Popullit ka dërguar në këtë Gjykatë ankesën e bërë nga 35 sindikata dhe grupe ankuesish lidhur me kushtetutshmërinë e këtij ligji. Kundër pezullimit të këtij ligji kanë dalë katër sindikata, të cilat nga sot pritet t’i fillojnë masat sindikale, duke përfshirë këtu edhe grevat e protestat, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Sindikata e Arsimit, e Shëndetësisë dhe e Doganës sot do të mbajnë greva në shenjë pakënaqësie për pezullimin e këtij ligji teksa Sindikata e Policisë pritet që gjatë ditës të njoftojë lidhur me hapat, të cilët do t’i ndërmarrë pasi më ligj ajo nuk ka të drejtë të hyjë në grevë, shkruan tutje “Zëri”.

Nga Ministria e Financave gjatë ditës së djeshme është thënë për medie se nga ky institucion zbatohen vetëm ligjet, të cilat janë në fuqi dhe jo ato që shfuqizohen. Kjo i bie që derisa Gjykata Kushtetuese të mos marrë ndonjë vendim tjetër punëtorët e sektorit publik do të vazhdojnë t’i marrin pagat ashtu siç i kanë marrë deri më tani.

Të ngjashme