Pezullohet nga puna zyrtari që dyshohet se mori rreth 6 mijë euro ryshfet

Prishtinë | 17 Jan 2022 | 16:06 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka pezulluar nga puna zyrtarin e saj, L.G., i cili javën e kaluar është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për marrje ryshfeti.

Zana Fetiu, këshilltare për media e ministrit të Kulturës, ka thënë për KALLXO.com se ministria ka marrë të gjitha masat që parasheh ligji ndaj zyrtarit në fjalë.

“MKRS ka ndërmarr të gjithë hapat e paraparë me legjislacionin në fuqi për raste të tilla në raport me zyrtarin përkatës. Zyrtari në fjalë është pezulluar nga puna”, ka thënë këshilltarja Fetiu.

Asistenti i drejtorit të Departamentit të Rinisë në MKRS, L.G., u arrestua nga Policia e Kosovës javën e kaluar, si i dyshuar se ka marrë 5,850 euro ryshfet nga dy biznese aplikuese, përfituese të subvencioneve.

Ndërkaq, Gjykata Themelore në Prishtinë njoftoi të enjten e kaluar se ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj zyrtarit të MKRS-së, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale, “Marrja e ryshfetit”.

Të ngjashme