“Pika 2” i bën bashkë Kosovën e Shqipërinë, arrestojnë rreth 60 policë kufitarë të dyshuar për korrupsion

Prishtinë | 08 Pri 2022 | 15:18 | Nga Ekonomia Online

Kosova dhe Shqipëria janë bërë sot bashkë për të kapur policët kufitarë që dyshohet se keqpërdornin detyrën zyrtare e pranonin ryshfet. Në dy anët e kufirit, ka pasur të arrestuar. Numri i atyre që kanë përfunduar në pranga është rreth 60. Express ju sjell një përmbledhje të aksionit “Pika 2”, që nisi nga mëngjesi.

Dyshimet se policët kufitarë po e keqpërdorin detyrën zyrtare, duke pranuar ryshfet, i kanë dërguar Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Prokurorinë Speciale në Vërmicë.

Me mëngjes, ata kanë nisur aksion atje, i cili ka përfunduar me 26 të arrestuar.

Në pranga janë vënë edhe dy rreshterë. Për ta, tashmë është dhënë edhe rekomandimi për suspendim nga detyrat e punës.

Për aksionin e sotëm, Inspektorati dhe Policia kanë deklaruar se janë duke hetuar qe rreth një vit.

Deklarojnë se hetuesit i kishin pranuar informacionet për ta muaj më parë. Pas informacioneve të marra, në hetim ishin përfshirë edhe masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit.

“Hetuesit e IPK-së muaj më parë kanë pranuar informacione përmes rrugëve operative lidhur me dyshimet për përfshirjen në aktivitetet të kundërligjshme të disa zyrtarëve policorë të punësuar në Drejtorinë Rajonale kufitare “Perëndimi” në Gjakovë respektivisht pikë kalimit kufitar në Vërmicë.

Me autorizimin e Prokurorisë Speciale në kuadër të këtij hetimi nga hetuesit e IPK-së janë përshirë edhe masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit si dhe masat e nevojshme që të zbulojnë dhe të ruajnë gjurmët dhe provat tjera të veprave penale dhe sendet të cilat mund të shërbejnë si prova të cilat mund të përdoren në procedurë penale”, thuhet në deklaratën e përbashkët të IPK’së.

Ky aksion ka qenë vazhdimësi e aksionit “Pika 1”, që është realizuar para tri javësh. Në atë aksion, ishin arrestuar mbi 50 zyrtarë policorë.

Dyshimet ishin se ata pranonin ryshfet deri në 400 euro.

“Nga hetimet ka rezultuar se fenomeni i marrjes së ryshfetit është aq i përhapur sa që le përshtypjen se pika kufitare nuk është institucion shtetëror, por një zonë private ku të pandehurit në mënyrë flagrante e shkelin ligjin dhe marrin para nga qytetarët gjatë kalimit kufitar. Veprimi i tyre është i pashembullt në aspektin e veprimit pasi që të pandehurit, varësisht prej rastit, marrin ryshfet edhe shuma të vogla që, në rast se nuk do të ishte një shprehi e vazhdueshme, mund të konsiderohej jo-signifikante. Megjithatë, ka raste kur shumat janë të mëdha dhe në disa raste arrijnë deri në 400 euro duke treguar se qëllimi i tyre për të marr ryshfet nuk varej nga shuma që kërkonin apo u ofrohej”, thuhet në dosjen e prokurorisë për ta.

Për aksionin e sotëm është bashkëpunuar edhe me autoritetet e Shqipërisë. Edhe atje janë arrestuar dhjetëra policë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Shqipërisë, janë arrestuar 32 zyrtarë policorë.

Është arrestuar edhe Drejtori i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Kukës.

Ata dyshohen se favorizinonin persona të ndryshëm për futjen e mallrave kontrabandë, i ndihmonin për ta kaluar kufirin personat që kishin problem me ligjin e vepra të tjera.

“Nga hetimi janë dokumentuar 312 episode të veprimeve korruptive të punonjësve të policisë, të cilët favorizonin persona të ndryshëm për futjen e mallrave kontrabandë; persona që trafikonin automjete, sende të tjera të kundraligjshme; ndihmonin për të kaluar kufirin persona të ndryshëm me problematika ligjore për hyrjen dhe daljen e tyre ne vendet e BE-së, sa i përket regjistrimeve fiktive për hyrjen dhe daljen në territorin shqiptar; si dhe ndihmonin persona të tjerë që kishin probleme me ligjin, të cilët nuk regjistroheshin në sistemin TIMS, pasi nuk lejohej udhëtimi i tyre për në Kosovë dhe anasjelltas” , thuhet në njoftim.

17 prej tyre janë në dërguar në mbajtje, 14 në arrest shtëpie dhe 3 janë pezulluar nga detyra.

“Pas një hetimi objektiv dhe të gjithëanshëm, me kërkesë  të Prokurorisë së Posaçme janë caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar 34 masa sigurimi personal, nga të cilat 32 punonjës të Policisë Kufitare Kukës, me funksione të ndryshme brenda Drejtorisë të Kufirit dhe Migracionit Kukës, duke përfshirë edhe Drejtorin e kësaj Drejtorie, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”,“Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”,në bashkëpunim, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”,  parashikuar nga neni 248, 259, 25  dhe 245/1 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e SPAK’ut.

Të ngjashme