Pjesëtarja e njësisë speciale dhe gruaja e parë police në Gjakovë flet për përvojën në këtë institucion

Prishtinë | 06 Sht 2021 | 21:57 | Nga Ekonomia Online

Është gruaja e parë që kishte marrë detyrën si zyrtare policore në rajonin e Gjakovës.

Në njëzetedy vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, Agnesa Maloku, që nga ajo kohë i shërben uniformës së Policisë së Kosovës.

Për herë të parë në prononcim, Maloku thotë se nuk ka pasur pengesa në punën e saj, ndërsa sot i takon Njësisë Speciale të Reagimit të Shpejtë.

“Mu nuk m ka pengu diçka kam pasur shumë mbështetje edhe prej qytetarëve për asyeje se edhe ka qenë diçka që iu ka rënë në sy si fillim se edhe në radhët e ushtrisë çlirimtare të Kosovës si femër pastaj jam bashkangjitur edhe në Polici”, thotë ajo.

Nga shumë arrestime, ajo ka arrestuar më shumë meshkuj.

“Kam arrestuar më shumë meshkuj nuk më ka penguar”, shtoi Agnesa.

Për ta nderuar punën e Policisë, është mbajtur edhe një ceremoni e cila filloi me homazhe në nderim të pjesëtarëve policorë të rënë në detyrë.

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, tha se zyrtarët policorë gjithmonë do të jenë në sigurinë e qytetarëve.

“Tash pas dy dekadash Policia e Kosovës në radhët e veta numëron nëntëmijë e njëqind e tetëdhjetë zyrtar policor të cilët në çdo moment dhe rrethanë janë aty për të garantuar rendin dhe qetësinë publike dhe për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës”, u shpreh Sveçla.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmeti, adresoi një kërkesë për të gjithë zyrtarët.

“Unë si drejtues i juaji iu drejtohem sot në këtë ditë të vecantë me kërkesën time që mos të shkelni asnjëherë këtë besim që qytetari ua ka dhënë, por të punoni fort, me profesionalizëm kurajo dhe përkushtim sepse vetëm puna e drejtë na bënë të nderuar dhe respektuar”, tha Mehmeti.

Në fund u ndanë çmime për policët që kanë treguar sukses në punën e tyre.

Të ngjashme