Polici i Njësisë Speciale godet të riun me armë në kokë në qendër të Mitrovicës së Veriut

Prishtinë | 04 Gus 2020 | 16:34 | Nga Ekonomia Online

Një pjesëtar serb i Policisë së Kosovës (Njësia Speciale – Rosu) gjatë ditës është arrestuar pasi i njëjti ka sulmuar fizikisht një të ri, gjithashtu të përkatësisë etnike serbe.

Z.P., nga Mitrovica e Veriut e goditi të riun me armë në kokë, më pas me të njëjtën ka shtënë, shkruan Kosovo Online.

Sipas dëshmitarëve ai ishte me rroba civile dhe jashtë detyrës.

Siç raportohet në momentin kur ndodhi ngjarja, rruga ishte përplot me kalimtarë dhe siguria e të gjithëve ishte e rrezikuar.

Zëvendëskomandanti rajonal i Policisë së Kosovës, Besim Hoti, konfirmoi incidentin, derisa bëri të ditur se në lidhje me rastin janë arrestuar 5 persona.

Mes të arrestuarve raportohet se janë edhe dy pjesëtarë të policisë së Kosovës, të cilët dyshohet se janë përfshirë në incident.

“Policia dhe mjekësia ligjore e Kosovës janë në vendngjarje dhe po punojnë për të mbledhur prova, përfshirë marrjen e pamjeve të vëzhgimit me video”, tha Hoti.

Hoti deklaroi se Inspektorati Policor i Kosovës do të përfshihet në hetimin e këtij rasti.

Të ngjashme